Janë bërë gati katër vjet prejse Baleti Kombëtar i Kosovës edhe në rrugë zyrtare e kërkon ndërtimin dhe funksionalizimin e një shkolle baleti. Pavarësisht kërkesave drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, deri tash asnjë hap konkret nuk është marrë për këtë iniciativë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i ishte drejtuar me një letër për këtë çështje ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Më pas, me Bytyqin po atë muaj ishin takuar ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj dhe Sinan Kajtazi, tash ushtrues detyre i drejtorit të BKK-së e asokohe kryetar i Këshillit Drejtues të këtij institucioni.
Më 17 dhjetor, ministri Bytyqi nëpërmjet Facebookut kishte bërë të ditur se me Brahimajn e kishin vlerësuar si të nevojshme themelimin e kësaj shkolle, në mënyrë që të krijohen kuadro të reja për këtë degë arti skenik në Kosovë.
Por një komision ekspertësh i paralajmëruar të jetë funksional në fillim të këtij viti nuk është formuar ende.