Sipas rezultateve preliminare, asnjë parti pjesëmarrëse në zgjedhjet e përgjithshme në Moldavi nuk e ka fituar shumicën e votave. Dy platformat kryesore politike që janë paraqitur para votuesve gjatë fushatës kanë qenë integrimi në Evropë dhe forcimi i lidhjeve me Rusinë.
Sidoqoftë, Partia Socialiste, e cila e përkrah forcimin e lidhjeve me Rusinë, i ka fituar shumicën e ulëseve në kuvend, ndërsa në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike, e cila ka qenë deri tash në pushtet dhe që përkrah integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në vendin e tretë ka dalë koalicioni “ACUM”, që ka premtuar luftim më të madh të korrupsionit.
Zgjedhjet e ditës së djeshme në Moldavi u mbajtën sipas një sistemi të ri zgjedhor, sipas të cilit 50 ulëse në kuvend fitohen nga kandidatët që ndodhen në listat e partive politike, ndërsa 51 ulëse tjera sipas garës individuale.
Nëse partia e parë nuk arrin ta formojë një koalicion qeverisës brenda 45 ditësh pas shpalljes së rezultateve, presidenti është i obliguar që ta shpërndajë kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja, shkruan “Free Europe”.