NBA ka marrë lajm të mirë të martën, pasi që asnjë të gjitha rezultatet e lojtarëve dhe stafit të testuar për Covid-19 i kanë dalë negative, para rinisjes së sezonit më 30 korrik.
346 basketbollistë u testuan gjatë ditëve të fundit, që kur u bënë të ditura rezultatet e testimeve paraprake më 13 korrik. Në atë teste kishin dalë dy raste pozitive, ndërsa tani s’është identifikuar asnjë rast i ri.
22 klube të NBA, me stafin dhe lojtarët, janë të gjithë bashkë në kompleksin Walt Disney World ku do të qëndrojnë të izoluar nga pjesa tjetër e botës deri në fund të sezonit, si masë parandaluese për infektimin e lojtarëve, që do të çonte deri te anulimi i sezonit.
Lojtarët që kanë dalë paraprakisht pozitivë në testet për Covid-19 ishin larguar nga kompleksi në Florida, që tani ka marrë nofkën “NBA Bubble”. Ata janë udhëzuar të vetëizolohen deri kur t’u dalin rezultatet negative dhe pastaj mund të kthehen në kompleks.
Rezultatet e fundit e kanë gëzuar bordin e NBA, pasi që tashmë gjithçka po shkon mirë drejt rinisjes së sezonit 2019/20 më 30 korrik, kur New Orleans Pelicans përballen me Utah Jazz dhe Los Angeles Lakers përballen me Los Angeles Clippers.
Secila skuadër do t’i luajë edhe nga tetë ndeshje për ta përfunduar sezonin e rregullt, ndërsa më 18 gusht do të fillojë faza eliminatore e play-offs.