Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja “Fol” ka thënë se të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar me ligj ta deklarojnë pasurinë e tyre.
Ajo në Info Magazine ka theksuar se ka probleme sa i përket deklarimit të pasurisë duke shtuar se nuk mund të ketë ndryshime në këtë proces, pasi nuk rregulluar sistemi i aplikimit në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
“Zyrtarët publikë janë të obliguar me ligj të tregojnë pasurinë, pasi të gjithë duhet ta bëjnë atë që ua ka caktuar ligji. Për këtë vit, nuk mund të kemi ndonjë ndryshim nga deklarimi i pasurisë në krahasim me vitet tjera, kjo për shkak se e kemi një sistem të vjetër të këtij procesi. Pavarësisht, kërkesave të shumta që i kemi bërë ndër vite që ky sistem të bëhet në formë elektronike, ai vazhdon të mbetet akoma në formën e vjetër”.
“Ne e dimë që zyrtarët aplikojnë me një fletë për ta deklaruar pasurinë e tyre, më pas ato formularë merren nga punonjës të Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilët i vendosin më pas në formën elektronike ashtu siç i shohim ne. Këtu ekziston rreziku se mund të ketë gabime përderisa të dhënat barten nga një formular në një tjetër”.
Demolli-Nimani ka treguar disa nga problemet që hasen gjatë deklarimit të pasurisë si dhe ka pohuar që nuk është ndëshkuar asnjë person për mos deklarim të pasurisë, njofton Klan Kosova.
“Shumë pak kemi raste të kallëzimeve penale kemi pasë, edhe ato që ishin një pjesë e tyre kanë përfunduar në Prokurori, shumicës ndoshta i ka kaluar afati i paraparë dhe nuk janë ngritur aktakuza. Ndër vite ky problem është duke vazhduar akoma të jetë i shfaqur duke mos u ndëshkuar persona të ndryshëm, si pasojë e kësaj ata do të vazhdojnë prapë të mos e deklarojnë pasurinë”.
“Problemi tjetër qëndron edhe tek vlerësimi zyrtarëve publikë që ua bëjnë pronave të tyre. Kemi pasë që shumë zyrtarë kanë vendosur vlera të ndryshme, siç është rasti i Visar Arifajt që ka vendosur vlerën prej 1 milionë eurove për pikturën që posedonte, kjo ia ka humbur kuptimin çdo aseti që ishte i deklaruar në Agjenci. Mungon një mekanizëm që do ta bënte vlerësimin e saktë të çdo prone qoftë të paluajtshme apo të luajtshme”.
“Kemi parë ndër vite që një zyrtar e publikon vlerën e njëjtë të veturës për disa vite me radhë, kjo nuk do të duhej të ishte kështu. Gjithashtu, kemi parë raste kur zyrtarët kanë aplikuar me të njëjtin formular si në vitin paraprak, të cilit nuk iu ishte ndërruar asnjë shifër. Problemi tjetër qëndron edhe tek kreditë, kemi parë që zyrtarët nuk i zvogëlojnë vlerat e kredive edhe pse ato do të duhej të ndryshonin çdo vit. Ka shumë probleme, të cilat shpresojmë se sipas ligjit e ri, këto do të merren më seriozisht dhe se do të punohet më shumë në këtë drejtim”, ka thënë Demolli-Nimani.