Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është i shqetësuar me nismën e Qeverisë për krijimin e inspektoratit administrativ. Sipas AKK-së, ky projektligj i cili mundëson inspektimin e institucioneve të administratës dhe zyrtarëve publikë, në çdo kohë e vend, cenon kompetencat e komunave, të drejtat e njeriut dhe ka tendencë për frikësimin e zyrtarëve publikë. Kundër këtij projektligji, AKK tashmë është ankuar edhe te Institucioni i Avokatit të Popullit.
I panevojshëm, tendencioz e me qëllim frikësimin e punëtorëve të administratës po konsiderohet Projektligji për Inspektimin Administrativ. Nëse miratohet ky projektligj, inspektorët administrativë do të mundë të bëjnë kontroll në çdo kohë e vend, pa paralajmërim e leje paraprake dhe duke përdorur një sërë teknikash të hetimit.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Radio Kosovën, tregon shqetësimet kryesore të AKK-së, në lidhje me projektligjin.
“Qeveria e Kosovës është duke hartuar projektligje të cilat prekin kompetencat e komunave. Një projektligj i tillë, tendencë kryesore ka kontrollimin dhe disiplinimin e zyrtarëve publikë, duke i gjobitur, duke i fotografuar ata, apo duke pasur qasje në pajisjet e tyre elektronike. Shqetësimi tjetër i kryetarëve të komunave është se ata konsiderojnë që ky projektligj cenon edhe të drejtat e njeriut, duke u bazuar në Kartën Universale për të Drejtat e Njeriut, por gjithashtu edhe Kartën Evropiane për Qeverisje Lokale”, tha ai.
Për shkeljet ligjore eventuale, në projektligj parashihet se inspektorët administrativë mund të shqiptojnë gjoba nga 500 deri në 3000 euro. Kundër Projektligjit për Inspektimin Administrativ, AKK është ankuar tek Avokati i Popullit, nga i cili është kërkuar opinion, pohon Ibrahimi.
“Kërkesa jonë është që Institucioni i Avokatit të Popullit të shqyrtojë këtë projektligj dhe të japë opinion se a është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës. A është në plotëni për sa i përket Kartës Universale për të Drejtat e Njeriut. Ne besojmë se ka shkelje, por presim vlerësim nga ky institucion”, tha Ibrahimi.
Avokati i Popullit e ka pranuar ankesën e Asociacionit të Komunave, për hetimin e shkeljeve të supozuara. Përveç për shkeljet e pretenduara, AKK kundërshton Projektligjin për Inspektimin Administrativ, edhe për siç thonë, kornizën e mjaftueshme ligjore që rregullon inspektimet. Ky projektligj po kritikohet edhe nga organizata të shoqërisë civile.