Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, i ka thënë gjykatës në Londër të enjten se nuk dëshiron që të ekstradohet në ShBA, për t’u gjykuar rreth një prej rrjedhjeve më të mëdha ndonjëherë të informatave të klasifikuara.
ShBA-ja e ka kërkuar ekstradimin e Assanges, që ishte nxjerrë zvarrë nga ambasada e Ekuadorit në Londër më 11 prill, teksa ai përballet me akuza që parashohin dënim me burg deri në pesë vjet.
I pyetur gjatë seancës në Gjykatën në Westminster nëse pajtohet të ekstradohet në ShBA, Assange, përmes videolidhjes prej një burgu britanik, ka thënë se nuk dëshiron të pajtohet rreth ekstradimit.
Seanca tjetër është caktuar të mbahet më 30 maj, përderisa gjykimi i tij rreth ekstradimit pritet të zgjasë me muaj.