Agjencia e lajmeve në Amerikë, Associated Press ka shkruar një artikullpër triumfin e Nora Gjakovës në Lojërat Olimpike.
“Nora Gjakova fiton të artën në ditën e zisë për Kosovën” – është titulli që i ka vendosur artikullit kjo agjenci e lajmeve.
Shkrimi i plotë:
Nora Gjakova solli pak grimca lumturie për Kosovën duke e fituar medaljen e artë të dytë në Lojërat Olimpike të Tokyos të hënën.
Teksa shteti i saj mban ditë zie për shkak të vdekjes së 10 personave në aksident rrugor të dielën, 28-vjeçarja Gjakova e mori titullin me IPPON ndaj francezes Sarah-Leonie Cysique në kategorinë deri në 57 kilogramë.
Ajo iu bashkua Distria Krasniqit, që e fitoi titullin në kategorinë deri në 48 kilogramë të shtunën, si e dyta dhe e treta medaliste e artë në histori të Kosovës. Majlinda Kelmendi fitoi të parën në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiro në vitin 2016, gjithashtu në xhudo.
“Në këtë ditë zie për popullin tonë, Nora Gjakova solli dritë për Kosovën” shkroi presidentja Vjosa Osmani në Facebook.
Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona” – tha ajo.
“Mbretëresha e artë” – shkroi Komiteti Olimpik i Kosovës në postimin e tyre në Facebook.
Gjakova e arriti finalen pas një fitore shokuese ndaj xhudistes japoneze, Tsukasa Yoshida.