AstraZeneca do ta furnizojë Evropën me 400 milionë doza vaksine kundër Coronavirusit

Prishtinë | 14 Qer 2020 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Kompania farmaceutike AstraZeneca ka nënshkruar një kontratë me qeveritë evropiane për të furnizuar rajonin me vaksinën potenciale kundër koronavirusit, marrëveshje kjo e fundit e kompanisë britanike për të siguruar vaksinën në luftën kundër koronavirusit, raporton Reuters.

Kontrata ka të bëjë me 400 milionë doza të vaksinës, të zhvilluara nga Universiteti i Oxfordit, ka thënë kjo kompani të dielën, duke shtuar se është duke kërkuar zgjerimin e prodhimit të vaksinës, për të cilën ka thënë se do ta prodhojë pa kërkesë për profit sa të zgjatë pandemia. Vaksina është ende duke u testuar klinikisht. Nëse këto testime i bindin ligjvënësit se vaksina është e sigurt dhe efektive, furnizimet pritet të nisin në fund të vitit 2020.

Marrëveshja është kontrata e parë e nënshkruar nga Aleanca Evropiane për Vaksinat gjithëpërfshirëse (IVA), grup i formuar nga Franca, Italia, Gjermania dhe Holanda për të siguruar dozat e vaksinave për të gjitha shtetet anëtare sa më parë që është e mundur.

“Kjo do të sigurojë që me qindra milionë njerëz në Evropë do të kenë qasje në këtë vaksinë, natyrisht nëse funksionon, dhe këtë gjë do ta dimë deri në fund të verës”, tha shefi ekzekutiv i kësaj kompanie Pascal Soriot për gazetarët. Ai tha se kishte “shpresa të mira” që kjo vaksinë do të funksionojë, bazuar në të dhënat fillestare.

Aleanca “do të punon së bashku me Komisionin Evropian dhe shtetet tjera në Evropë për të siguruar se çdokush në Evropë furnizohet me vaksina”, shtoi ai.

Vaksinat do të jenë për të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Katër shtetet që u pajtuan me marrëveshjen do të paguajnë për sasinë totale, numër që nuk u tregua, dhe kjo skemë lejon që edhe shtetet tjera të bashkëngjiten nën kushtet e njëjta, tha një burim nga Ministria e Shëndetësisë e Italisë.

Kina, Brazili, Japonia dhe Rusia gjithashtu kanë shprehur interes, tha ai.

Agjencia Regullatore për produkte Mjekësore e Britanisë (MHRA) ka aprovuar fillimin e testimeve të Fazës III të vaksinës pasi që studimet treguan efikasitet dhe siguri të mjaftueshme, tha Soriot.

Kjo është marrëveshja e fundit e kompanisë farmaceutike Astra Zeneca për të furnizuar me vaksinë qeveritë të cilat nuk kanë arritur marrëveshje të përbashkët për sigurimin e kësaj vaksine.

Ajo ka arritur marrëveshje globale për të prodhuar dy miliardë doza të vaksinës, duke përfshirë dy kompani të mbështetura nga Bill Gates dhe një marrëveshje prej 1.2 miliardë dollarë me qeverinë e SHBA-së.

Marrëveshja me shtetet Evropiane do të shtojë edhe 100 milionë doza atyre dy miliardë që tashmë janë premtuar nga ky grup, tha AstraZeneca.

Ende nuk ka vaksina të aprovuara apo trajtime për sëmundjen COVID-19.

Të ngjashme