Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte në Prizren, Millosh Pleskoviq.
Pleskoviq po akuzohet se gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vëllai i njërit nga të vrarët F.B, dëshmitari Ilir Bojaxhiu ka deklaruar se vëllai së bashku me të tjerët ishin civil të paarmatosur të cilët sipas tij kishin shkuar në mal për të marrë dru.
“Po unë mund të deklarohem se së pari ata kanë qenë civil të paarmatosur, më 1 shtator të 98-es herët në mëngjes, tre viktimat dhe këta tre dëshmitarët tjerë që janë, janë ngritë në mëngjes për të marrë dru mal për parapërgatitje për dimër”, ka thënë Bojaxhiu.
Ai ka rrëfyer se si të njëjtit kanë hasur në forcat paramilitare serbe dhe janë sulmuar.
“Rrugës tu shku deri në mal, në pyll, kanë hasë në forcat paramilitare policore”, ndërkaq shtoi “kur kanë hasë në forcat paramilitare, i kanë ndalu aty, njëri prej dajve të Xhengerit, Reshati apo Binaku nuk e di, ka arrit ta shtyj Xhengerin që të largohet prej atij vendi dhe ku ka arrit të largohet prej atij vendi”, tha mes tjerash Bojaxhiu.
Ai shtoi se i mbijetuari i kësaj ngjarjeje, Xhenger Cana, me të mbërritur në lagje i kishte njoftuar për atë që ka ndodhur në mal i sigurt që i akuzuari ishte pjesëmarrës në vrasje.
Tutje, i njëjti ka pohuar pranë gjykatës se gjatë varrimit, të gjitha varrezat kanë qenë të rrethuara me forca policore, ndërkaq ishte njoftuar se trupat ishin të masakruar.
Në cilësinë e dëshmitarit në seancën e sotme është dëgjuar edhe Fevzi Cana, i cili ka thënë se mëngjesin e shtatorit 1998, derisa ishin nisur për në mal, ai së bashku me Bashkim Kastratin ishin ndalur për pak minuta derisa, tani viktimat së bashku me birin e tij kishin vazhduar të ecin.
I njëjti ka pohuar se kanë dëgjuar krismat dhe ka parë djali e tij teksa ka ardhur në drejtim të tyre duke ikur dhe duke bërtitur, ‘ik babi’, dhe të njëjtit kanë ikur se bashku.
Ai poashtu ka pohuar se nuk ka arritur t’i shoh trupat e viktimave, ndërkaq ka potencuar emrat e personave që kanë shkuar për t’i tërhequr trupat.
Tutje, në seancën e sotme është dëgjuar edhe dëshmia e Bashkim Kastratit i cili po ashtu në të njëjtën mënyrë ka përshkruar ngjarjen.
Ai tha ishte së bashku me të dëmtuarin tjetër Fevzi Cana kur kishte parë Xhenger Canën të vinte nga mali poshtë duke bërtitur ‘ikni bab se serbët’ e që më pas kishin ikur.
Tutje ai ka shtuar se Xhenger Cana ka pohuar se aty ka qenë i akuzuari Pleskoviq.
I njëjti i ka thënë gjykatës se të akuzuarin e ka njohur edhe para luftës pasi si fëmijë është rritur në lagjen e tyre. Për të njëjtin ka thënë se është dukur njëjtë edhe në atë kohë vetëm se sot duket më i plakur.
Vlen të përmendet se në seancën e sotme ka vazhduar dëshminë e tij nga seanca e kaluar edhe Xhenger Cana i cili në fund ka treguar gjykatës një fotografi në të cilën pretendon se është i akuzuari në kohën e luftës i armatosur.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.
Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.
Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.
Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.