38 personat e parë që kishin hyrë në karantinë, në mesin e tyre zyrtarë të Federatës së Boksit dhe një grup udhëtarësh prej Turqisë, e që këtë të enjte kaluan ditën e14-të në karantinë do të testohen gjatë së premtes nga IKSHPK-ja për Covid-19.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, i cili është përgjegjës për karantinën në Qendrën e Studentëve tha se të gjithë personat e karantinuar, të cilët hynë në ditën e 14-të, sipas procedurave do t’iu nënshtrohen testimit dhe më pas vetizolimit, raporton Koha.
Deri më tani në karantinën e qendrës së studenteve janë të vendosur mbi 460 persona.
Këtë të enjte nga Kroacia kanë arritur edhe 50 persona, të cilët u vendosën në po këtë qendër.
Por drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha se kjo qendër ka numër të kufizuar të qytetarëve që mund të pranojë .
E Ministria e Shëndetësisë deri më tani të vetmin vend për vendosje në karantinë të qytetarëve të ardhur nga diaspora ka Qendrën e Studenteve.
Por të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme tregojnë se numri i qytetarëve të cilët po kërkojnë të kthehen në Kosovë e të cilët duhet të vendosen në karantinë është i madh.
Qindra qytetarë nga Zvicra, Gjermania, Turqia, Suedia, Belgjika , SHBA e shtete të tjera tashmë janë në listën e Ministrisë së Punëve të Jashtme për kthim në Kosovë.
“Për kthim në Kosovë u regjistruan: në Zvicër – 481 veta; në Gjermani – 420 veta; në Turqi – 259 veta; Suedi/Finlandë – 150 veta; Belgjikë – 84 veta; Mbretëri e Bashkuar – 61; Shtetet e Bashkuara të Amerikës – po ashtu 61 veta; Slloveni – 58 veta, Francë – 46 veta, dhe dhjetëra shtetas që ndodheshin në disa shtete të tjera”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ministria e Jashtme shtoi se po bën përpjekje maksimale për kthimin e të gjithëve, por që mundësitë janë të kufizuara, për shkak edhe të masave që shtetet kanë vënë.