Atashi nga APK: Aktgjykimi i Supremes na kufizoi punën dhe kompetencat tona

Prishtinë | 11 Dhj 2025 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Afrim Atashi, drejtor i Departamentit për Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Supreme i ka kufizuar shumë në punën e tyre.

Përveç kësaj, ai tha se edhe kompetencat e tyre janë kufizuar nga ky aktgjykim.

“Akgjykimi i fundit i Gjykatës Supreme na ka lënë të habitur edhe neve.. për shkak të këtij vendimi na u ka kufizu puna shumë, na u kanë kufizu edhe kompetencat tona sepse prapë se prapë edhe pse hudhen të gjitha këto kallëzime tona penale, na kallëzime duhet me ba sepse ligji dhe Kodi Penal na obligon edhe nuk kemi qare pa i ba ato kallëzime penale”, tha Atashi, raporton Betimi për drejtësi.

Atashi theksoi se nuk dihet se si do të veprohet tutje kur do të bëhen vazhdimisht kallëzime nga ana e tyre, e të cilat do vazhdojnë që të hudhen poshtë.

“Nëse kjo vazhdon që ne i bëjmë dhe ata i hudhin poshtë, nuk e di ku mundet me shku kjo punë, por gjithsesi që duhet me dhanë edhe një mendim tjetër- ato mundësitë ligjore se qysh mundet me ardhë tek një interpretim tjetër ose tek një vendim tjetër i Gjykatës Supreme për këtë rast e di sigurisht edhe ma mirë – mirëpo duhet me pas edhe me u ndryshu gjendja”, tha ai.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të enjten organizoi tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit të ri me titull “Deklarimi i pasurisë: Gabimi gjyqësor që hoqi gjithë përgjegjësinë e shkelësve të ligjit”, aktivitet ky në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile: IKD, Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”. 

Të ngjashme