Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti aktivistët e Vetëvendosjes kanë shkruar një letër në të cilën japin disa arsyje se pse nuk duhet hequr dorë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ata njëkohësisht përmes kësaj letre kanë bërë thirrje pjesëtarëve të lëvizjes që të mos heqin dorë nga VV-ja.
“Thirrja jonë është që të mos jepni dorëheqje. Nuk na duhet dorëheqje, na duhet këmbëngulje. Përndryshe, edhe ne i kemi disa pyetje konkrete që do t’i shtrojmë publikisht nëse ju vazhdoni me dorëheqje e patetizma”, thuhet mes tjerash në këtë letër të tyre.
Letra e plotë:
Letër nga Atdheu dhe Egzoni:
Përse nuk duhet hequr dorë nga Lëvizja
I.
Tek filmi kushtuar Gjergj Kastriotit, unit rezistent të shqiptarëve, në fund të filmit një këngëtar i panjohur (tenori Luk Kacaj) kërkon ta prekë Skënderbeun, mirëpo në vend të tij me sugjerim të Skënderbeut ai prek fytyrën dhe krahun e shpatës së Tanush Topisë. “Si në vepra dhe në realitet je i njëjti – unë pashë” – deklaroi i verbëri duke aluduar Skënderbeun. Dikush nga turma e pyet Gjergjin me habi: “Po pse nuk u shfaqe?” “… mos ndoshta ky dhe unë s’jemi një?!” – ia kthen Skënderbeu.
Vërtet, Skënderbeu nuk do të kishte fituar po të mos ishte një me krahët e tij. Mirëpo ai fitoi dhe kur e tradhtuan gjeneralët, Moisiu e Hamza. Pra krahët e tij nuk ishin gjeneralët. Krahët e tij ishin populli.
E kush mund të mburret pra me dorëheqjet e veta se ne u dobësuam, se mbetëm të dobët, se zemrat tona nuk mund ta arrijnë Bashkimin Kombëtar dhe se nuk mund ta kultivojnë e ndërtojnë socialdemokracinë?! Ne kemi një histori, dhe jemi subjekt historik – shqiptarët e meritojnë një Lëvizje, ua kemi borxh unisimin administrativ, se edhe ashtu jemi të unisuar shpirtërisht. Të gjendur në dyer të Otrantit mes despotizmit të lindjes e cinizmit të perëndimit, shqiptarët qysh moti e dëshmuan gradën e lartë të kulturës e qytetërimit.
II.
Si të burgosur e aktivistë të forcës numër një politike në Kosovë, do të donim t’i adresojmë mendimet e brengat per të palarat e pushtetit, për ata që po vazhdojnë të na përligjin e shpërfytyrojnë shpresat, interesat e mirëqenien e vendit tonë. Meqenëse disa deputetë brenda e jashtë burgut duken të zënë me gjetjen e argumentave për dorëheqje, të palarat e pushtetit na mbetet t’i adresojmë ne, të burgosurit jodeputetë.
Si shtet, a kemi dhënë zgjidhje për ata që vazhdojnë të ëndërrojnë largimin nga vendlindja si të vetmën rrugëdalje nga gjendja e mjerimit?!
E si mund të përballohet mjerimi kur kryeministri e qeveritarët ia rrisin rrogën vetës kundërligjshëm e me arsyetime banale? Mbase iu duhen fishekë për të shitë burrni nëpër oda thuajse jetojmë në kohëra mesjetare. Të rinjët tanë nuk kanë nevojë të rritën për të shitë trimëri me armë, Kosova ka nevojë për të rinj kreativ, për asi që ecin krahas botës së përparuar. Ne edhe ashtu jemi bërë gazi i botës, shtet i kaosit, krimit të të mëdhenjëve, e ndëshkimit të të vegjëlve.
Kaluam vitin e arritjes më të madhe të Lëvizjes, ishim dëshmitarë të rrënimit të kalave partiake që ishin në pushtet deri sot. As serviliteti e nënshtrimi i interesave në plan ndërkombëtar s’po i kryen më punë. Zyrtari i Departamentit amerikan të shtetit, Brian Hayt Yee deklaroi se “është paturpësi e kryeqyteteve të botës se si i mirëpresin liderët e korruptuar të Ballkanit sikur s’kanë bërë gjë të keqe”. Dhe po, kontrata e fshehtë prej 3 miliardë eurove për termocentralin, 56 milionë euro tek Bechteli, shtrenjtimi dhe tarifimi i padrejtë rrymës, falja e borxheve milionëshe të ambalazhuesve të ujit etj., janë shprehje të larta korruptive.
Praktika ndërkombëtare njeh shtete të forta dhe të dobëta. Sipas Joel Migdal, shtetet e forta janë të afta të rregullojnë marrëdhëniet shoqërore, t’i sigurojnë, orientojnë e shfrytëzojnë mjetet në mënyrë racionale. Karakteristikat e shteteve të forta, sipas tij janë: kontrolli i plotë i territorit; mbrojtja ndaj politikave të dhunës dhe krimit; garantimi i lirive politike dhe qytetare; krijimi i mjedisit të përshtatshëm për prosperitet ekonomik; sundimi i ligjit; gjyqësor i pavarur; infrastruktura e zhvilluar; shërbimet publike me standarde të larta të arsimit e shëndetësisë.
Shteti i dobët në anën tjetër drejtohet prej politikave që prioritet e kanë ekuilibrin në mes të presionit ndërkombëtar dhe të presionit të brendshëm politik. Modeli i qeverisjes së këtyre shteteve kapitalin financiar të shoqërisë e orienton kah grupet e fuqishme të interesit. Sa më të fuqishme grupet e interesit, aq më i dobët aparati i shtetit, sidomos institucioneve të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Ky shtet edhe në literaturë njihet si shtet i kapur. Ndërsa, Robert Kaplan përkufizon edhe një shtet tjetër, atë të dështuar, i cili përfaqëson anarkinë kriminale. Shteti i tillë nuk është në gjendje të garantojë minimumin e sigurisë, të mirave publike dhe të drejtësisë për të gjithë. Shteti i dështuar ka edhe një karakteristikë: nuk mund të ndërtojë me sukses identitetin dhe të motivojë qytetarët të angazhohen në projektet kombëtare. Shpesh ndodh që një pjesë e madhe e popullsisë nëse i vjen rasti të largohet nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. Nuk duhet ndonjë analizë shumë e thellë për ta kuptuar që jemi larg të qenit shtet i fortë, por për t’u bërë i tillë assesi nuk duhet hequr dorë nga Lëvizja, që s’ka njollë krimi e korrupsioni brenda rradhëve të saj. Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për Lëvizjen.
E pikërisht Lëvizjes shteti i dobët, i kapur e i dështuar, ia vrau Astrit Deharin. Ia vrau pasi e akuzoi me shpifje, pasi e burgosi pa faj.
Në këtë pikë lindin pyetjet tona për ndonjë nga të dorëhequrit: pse kur familjet tona edhe vetë ne na terrorizonte shteti mafioz, duke na futur antiterrorrin në shtëpi e duke na arrestuar si të pafajshëm, e edhe tash jemi në burg, një ish-sekretar mori në zyrë të Lëvizjes një portal të policisë për të “dëshmuar” se nuk ishte në protestë? Kohët e fundit është fshirë ai lajm.
Pas vrasjes së Astrit Deharit ne ishim në burg dhe nuk dinim si kanë shkuar gjërat, por pse për Astritin nuk kemi protestuar ne si Lëvizje por vetëm “shoqëria civile”? Astriti nuk ishte vetëm “fëmijë” i familjes së vet dhe i shoqërisë, ai ishte “fëmijë” i Lëvizjes, që u dënua dhe u vra për Lëvizjen. Pse iu la shoqërisë civile, kur asnjë çështje nuk e ka zgjidhur shoqëria civile me protesta, por vetëm Lëvizja. Apo synim ishte të mos kishte protesta, sepse dikush po mendonte se Astriti nuk ishte vrarë?
III.
Kosovën ka shumë që e duan, besojnë se njerëzit e saj janë të mirë dhe kanë qëllime të mira e të drejta. Por ka edhe shumë të tillë që tallen kur Kosova kërkon anëtarsim në BE që këtë vit. Madje, qeshin me zë kur dëgjojnë që ajo e para nga rajoni do të anëtarësohet në BE. Sfida do të jetë për Kosovën, e cila duhet të vendosë se a do t’ia mësyjë Europës me këtë klasë pushteti të paarsimuar, jokompetent, të korruptuar e kriminalizuar apo si më 11 qershor 2017, por tash edhe më fuqishëm, të përcaktohet për Lëvizjen e luftës kundër çdo shtypjeje klasore e kombëtare.
Për Lëvizjen që mishëron vetë politikën, që i kundërvihet simetrikisht partive klanore të pasurimit, që ndrydhin dhe shkatërrojnë artin politik- antipolitikët partiak.
Që prej Athinës së shek V të P.K. e deri në qeveritë tona pala e të pasurve (antipolitikët) kanë thëne vetëm një gjë- e cila është mohim i politikës- nuk ka për ata që s’kanë. D.m.th s’ka shërbime publike, rritje të mirëqenies për të varfërit. Polariteti prej të cilit kemi politikë është ai që i dallon ata që kanë dhe ata që s’kanë tjetër pos krahët e tyre të punës. Pra edhe njëherë, nuk duhet hequr forë nga Lëvizja nëse duam të ngritemi përtej raporteve feudo-klanore, të cilat raporte ne Europë janë kaluar në një mijë vjet. Nuk duhet hequr dorë nga Lëvizja nëse e besojmë politikën si rendin në të cilin përcaktohet me drejtësi ndarja e të përbashëktës. Politika është vepër e klasave që nuk janë klasa (të varfërit, proletariat, populli). Këto janë gjëra që na i kanë mësuar disa të dorëhequr. Ata dikur na thoshin se “në kapitalizëm nuk ka vetëvrasje”. Tani po japin dorëheqje…
Nëse si po marrim vesh edhe brenda burgut nga bashkëvuajtësi ynë i dorëhequr, Albin Kurti na qenka “zbut” prej amerikanëve e perëndimi e se po e luftoka ish-sekretarin dhe krahun e tij radikal, atëherë pse në media, në qëndrime e veprime të dorëhequrit antikapitalistë e radikalëm po sillen si liberalë? Aman bre, kjo s’është politikë. Kjo është hipokrizi. Apo si thotë folklori i burgut jeni “edhe sersena (i jepni zor), edhe tutsa”.
Por, ka politikë dhe do të ketë në Lëvizje për shkak të një universali, barazisë, e cila merr figurën e fajit. Faji i atij që s’ka dhe korrigjimi i këtij faji; nivelizimi përpjestimor gjeometrik i të mirave shoqërore. Gjëja e fundit por jo më pak e rëndësishmja pse nuk duhet hequr dorë nga Levizja: nuk duhet nëse ende na flakëron zemrën flamuri i Skënderbeut; nëse na djegë shpirtin mjerimi ekonomik-social i qytetarëve tanë; nëse na mbushë tërbim e revoltë qytetare krimi, korrupsioni e tradhëtia e udhëheqësisë.
IV.
Thirrja jonë është që të mos jepni dorëheqje. Nuk na duhet dorëheqje, na duhet këmbëngulje. Përndryshe, edhe ne i kemi disa pyetje konkrete që do t’i shtrojmë publikisht nëse ju vazhdoni me dorëheqje e patetizma.
Lëvizja është dhe do të jetë përçuese dhe pulsuese e aspiratave të vegjëlisë, të ekonomisë së qëndrueshme, të shqiptarëve faktorë e jo aktorë të skenës politike. Në përvjetorin jubilar të kalorësit mbrojtës të Evropës le ta kujtojmë edhe njëherë amanetin e trimit, unit rezistent të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha kohërave se: ne jemi të vdekshëm (dorëheqshëm) po Lëvizja e populli do të jetojnë e ngadhënjejnë në luftëra e sfida të reja. Kombi i ndarë padrejtësisht e barbarisht, dinjiteti i nëpërkëmbur, mungesa e stimuluar e përspektivës, skllavërimi e shkelja e punëtorit, sundimi i monopoleve prodhuese e financiare janë problemet/sfidat që na presin e që për të ngadhnjyer mbi to na duhet nivel më i lartë i rezonimit politik, na duhet bashkimi i aktivitetit vetëmohues, i disiplinës organizative.
Përpara me Vetëvendosjen deri në Vetëvendosje!
Me mendje e me zemër, Egzoni dhe Atdheu, Dubravë.