Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, Atdhe Nuhiu, ia ka dëshmuar trajnerit të tij, Steve Bruce, pse e meriton një vend në formacionin e parë, përmes superparaqitjes së tij në ndeshjen kundër Preston North End.
Sheffield Wednesday e barazoi me rezultat 3:3 këtë ndeshje kundër Preston North End, mirëpo para se Atdhe Nuhiu të futej në lojë, disfata dukej e sigurt për skuadrën e kosovarit.
Që nga momenti kur Steve Bruce është emëruar në pozitën e trajnerit të Sheffield Wednesday, Nuhiu është detyruar që të pajtohet me vetëm disa minuta lojë nga stoli, pasi trajneri i ri preferon të luajë me veteranin Steven Fletcher.
Megjithatë, në minutën e 67-të të ndeshjes, kur Sheffield po pësonte disfatë me rezultat 3:1, Bruce vendosi ta inkuadrojë në lojë Nuhiun në vend të Josh Onomah. Ky vendim doli të jetë i duhuri për skuadrën e Bruce, pasi që kosovari ia fitoi atij një pikë.
Fillimisht, në minutën e 76-të të ndeshjes, Nuhiu i ndihmoi skuadrës së tij që të kthehet në lojë, duke e asistuar golin e shënuar nga Fernando Forestieri, ndërsa, vetëm dy minuta më vonë, Nuhiu e shënoi edhe golin e barazimit.
Megjithatë, këto statistika ai i përmirësoi sot dhe pritet të shihet nëse Bruce do t’ia besojë atij një vend në formacionin e parë për ndeshjen kundër QPR-së, e cila do të zhvillohet më 5 maj.
Gjatë këtij sezoni, Nuhiu ka luajtur në 37 ndeshje, në të cilat ka shënuar pesë herë dhe i ka asistuar dy gola të tjerë.