Atentati në Vlorë, si u plagos gabimisht 58-vjeçari, shkak dyshohet zhdukja e Elvis Troqes

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Qyteti i Vlorës prej disa vitesh është kthyer në një prej qyteteve me përplasjet më të forta mafioze.

Me dhjetëra persona janë ekzekutuar, ndërsa dhjetëra të tjerë janë të zhdukur. Pjesë e larjes së hesapeve duket se ishte dhe atentati ndaj Inez Hajrullait.

Ndaj 26-vjeçarit u qëllua me breshëri automatiku nga disa persona që lëviznin me një makinë “Land Rover”. Atentati ndodhi në një lokal në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ku nga plumbat pati një person të plagosur, që ishte klient në lokal.

Pamje nga kamerat e sigurisë, ku duket makina e autorëve
Pamje nga kamerat e sigurisë, ku duket makina e autorëve
ATENTATI

Tetë persona janë shoqëruar pas ngjarjes së ndodhur në Vlorë, mesditën e së premtes, në zonën e Lungomares. Asnjë prej të ndaluarve nuk dyshohet të jetë një prej katër autorëve të dyshuar, por bëhet fjalë për persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Burime nga Policia e Vlorës kanë konfirmuar se nga personat e shoqëruar janë marrë dëshmi referuar asaj çfarë mund të jetë parë gjatë momentit të shkëmbimit të zjarrit, ndërsa janë sekuestruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë nga biznese që ndodhen në zonën e Lungomares, çka mund të çojë drejt zbardhjes së ngjarjes apo identifikimit të autorëve. Ndërkohë, Policia ka kërkuar të marrë dhe gjurmët e mundshme në automjetin e djegur në fshatin Babicë, brenda të cilit u gjetën edhe dy armë, të tipit kallashnikov, por edhe disa shenja plumbash që tregojnë se mes dy grupeve ka pasur shkëmbim zjarri.

Por, pavarësisht kësaj, Policia deri tani nuk ka arritur të identifikojë as kush ka qëlluar nga grupi i 26-vjeçarit që ishte shënjestër e atentatit. Armët ishin pothuajse të djegura, ndërsa nga grupi hetimor po shihet nëse mund të ketë ndonjë gjurmë më shumë që mund të çojë drejt identifikimit të autorëve. Atentati që iu bë të premten Inez Hajrullait, sipas Policisë, dy shohet se mund të jetë kryer nga katër persona, të cilët ndodheshin në brendësi të automjetit tip “Land Rover”, me ngjyrë të zezë.

Dyshohet që autorët të kenë qenë të maskuar në momentin kur edhe kanë kryer atentatin. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, u plagos vetëm një person. Dajko Cenodemaj, 58 vjeç, i cili ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. Ai mori një plumb në këmbë, por pa rrezik për jetën. Burime nga Policia e Vlorës kanë saktësuar se hetimet janë ndalur në disa pista, por ende nuk mund të thuhet asgjë konkrete. Inez Hajrulla, personi ndaj të cilit besohet se është kryer atentati, është një emër i njohur për Policinë, ndërsa në vitin 2017 i shpëtoi edhe një atentati të kryer me lëndë eksplozive në automjetin e tij, ku humbi një nga gjymtyrët e poshtme.

DYSHIMET

Atentati ndodhi një prej lokaleve, që në Vlorë njihet si vendi që frekuentohej nga Edison Harizaj, një prej të fortëve të Vlorës, i vrarë vitin e kaluar në Durrës. Hajrulla dyshohet se është pjesë e grupit të Harizajt. 26-vjeçari është djali i një biznesmeni të njohur në qytetin bregdetar dhe njihet si person me rrezikshmëri.

I riu është dënuar dy herë. Në shkurt 2018, Hajrulla ka marrë një dënim me 2 vite heqje lirie për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Dënimi kishte lidhje pikërisht me armën që iu gjet gjatë atentatit me eksploziv, të ndodhur në nëntor të 2017, por ky dënim u pezullua duke e lënë të riun në shërbim prove. Gjithashtu, në fund të vitit u dënua me 8 muaj për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Inez Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçari Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin “Ini”, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullait, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”.

Përveç zhdukjes së 25-vjeçarit, Hajrulla dyshohet se është përshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale që janë ende të pazbardhura.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme