ATK-ja ka një njoftim për gjithë personat lidhur me tatimet që rrjedhin nga furnizimet elektronike

Prishtinë | 21 Qer 2024 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës, ka publikuar broshurën me të cilën i ka njoftuar të gjithë personat lidhur me detyrimet tatimore që rrjedhin nga furnizimet elektronike, raporton Ekonomia Online.

Sipas ATK-së, broshura ka për qëllim informimin publik se si trajtohen për qëllime tatimore aktivitetet e realizuara në mënyrë elektronike.

“Administrata Tatimore e Kosovës, me qëllim që të njoftoj të gjithë personat lidhur me përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore të cilat rrjedhin nga furnizimet elektronike, publikoj broshurën “Trajtimi tatimor i furnizimeve elektronike”. Kjo broshurë është përgatitur me qëllim të informimit publik se si trajtohen për qëllime tatimore aktivitetet e realizuara në mënyrë elektronike dhe e njëjta ju dedikohet të gjithë personave që zhvillojnë aktivitet në mënyrë elektronike, përfshirë edhe qytetarët që janë blerës të mallrave dhe shërbimeve në mënyrë elektronike”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Më tutje, ATK-ja informon se në një vend modern, që Kosova synon të jetë, nga qytetarët kërkohet pagesa e tatimeve dhe obligimeve tjera të përcaktuara me ligj.

“Andaj, edhe personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik në mënyrë elektronike, në bazë të legjislacionit tatimor të Kosovës, janë të obliguar të regjistrohen, mbajnë dokumentacion, deklarojnë dhe paguajnë tatimin. Përmes kësaj broshure të gjithë personat do të informohen më për së afërmi për: aktivitetet ekonomike që realizohen në mënyrë elektronike; dallimet mes tregtisë tradicionale dhe tregtisë elektronike; personat që kryejnë furnizime të mallrave dhe shërbimeve në mënyrë elektronike; ofrimin e shërbimeve në mënyrë elektronike; përcaktimin e vendit të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve për aspekte të TVSH-së; lëshimin e kuponit fiskal për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve në mënyrë elektronike”, thuhet në njoftim.

Administrata Tatimore e Kosovës, ka inkurajuar të gjithë personat, që të deklarojnë dhe paguajnë detyrimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve.

Broshura “Trajtimi tatimor i Furnizimeve Elektronike” është në dispozicion të tatimpaguesve në ueb-faqen e ATK-së.

Të ngjashme