ATK-ja promovon të dhënat e hapura – Murtezaj thotë se po rrisin transparencën e llogaridhënien

Prishtinë | 01 Gus 2023 | 14:47 | Nga Gzim Mujaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbajtur tryezën e diskutimit lidhur me promovimin e të dhënave të hapura, të publikuara në ueb-faqen e ATK-së, raporton Ekonomia Online.

Zv.drejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se diskutimi në fjalë ka për qëllim të shërbejë si platformë për eksplorim të grupeve të të dhënave për të ilustruar se si këto të dhëna mund të përdoren për t’i kuptuar më mirë trendet e ekonomisë në Kosovë, por edhe për të informuar politikat e ekonomisë në të ardhmen.

Madje sipas tij, hapja e të dhënave është çelës për çdo institucion e organizatë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.  Murtezaj ka shtuar se ATK çdoherë ka qenë e fokusuar përmes planeve strategjike në rritjen e mekanizmave, të cilat qojnë përpara integritetin e institucionit.

Sipas tij, iniciativa për hapjen e të dhënave kontribuon direkt në zhvillimin demokratik të një institucioni, si dhe zhvillimin e një segmenti ekonomike në nivel inovativ.

“Për mua është kënaqësi të ju informoj se ATK-ja është në vazhdën e shumë reformave që është duke e bërë, është duke punuar edhe ne rritje të integritetit si dhe rritjen e transparencës. Ky është një hap tjetër drejt transparencës. Qëllimi është rritja e transparencës, shkasi i kësaj iniciative janë edha zbatimi i planit  për përmirësimin e integritetit të institucionit të ATK, dhe nga kërkesat e organizatave”.

“ATK deri tani ka hapur 4 data asete që kanë të bëjnë më hyrjen, qarkullimin. Kësaj open datë janë shtuar edhe 6 aseta të reja dhe në total kemi 10 asete. Në këto asete kemi të bëjmë me deklarimin e numrit të punëtorëve, pagesat, rimburismet. Hapja e të dhënave është një qelës për çdo institucion e organizata për rritje të transaprencës dhe llogaridhënies”, tha ai.

Dardane Peja, përfaqësuese e Zyrtarit Kontraktues, USAID, tha se do të vazhdojnë ta mbështesin ATK-në edhe në të ardhmen, raporton EO.

“Gjatë vitit të kaluar, USAID përmes programit ka dizajnuar dhe ka lansuar iniciativën për të dhënat e hapura. Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishme në ndërtimin e cilësimit publik përmes rritjes së transparencës dhe llogaridhënies”.

“Të dhënat që janë publikuar deri më tani dhe që do të publikohen në të ardhmen, do të jenë një burim i vlefshëm për hartuesit e politikave ekonomike, për hulumtuesit, gazetarët, organizatat sepse duke analizuar trendet e rëndësishme ekonomike mund të përcaktohet edhe kontribuuesit për zhvillimin ekonomik të vendit.  Në do të vazhdojmë ta mbështesin ATK në grumbullimin e të dhënave sepse këto të dhëna do të kontribuojnë në ekonomi”, tha ajo.

Nora Kokaj, zëvendësdrejtore në USAID e Programit për Qeverisje Ekonomike, që prezantoi para të pranishmeve qëllimin e këtyre të dhënave të hapura, tha se ATK është duke mbajtur hapin me shtetet e tjera të zhvilluara.

“Të dhënat e hapura janë në treg në rritje edhe në vendet e zhvilluara. ATK është duke e mbajtur hapin me shtetet e tjera të zhvilluara. Shumë të dhëna mbi trendet ekonomike publikohen me vonesa”.

“Këto janë të dhëna administrative, ato nuk zëvendësohen me statistikat zyrtarë që publikohen nga agjencitë statistikore. Ato janë të hapura janë të qasshme ligjërisht dhe teknikisht”, tha ajo.

Ky organizim është mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë.

Të ngjashme