Administrata Tatimore e Kosovës, si një nga institucionet kryesore të mbushjes së buxhetit të Kosovës, ka deklarura se ka tejkaluar objektivat e parapara, me theks të veçantë në inkasimin e të hyrave për periudhën janar-shtator 2021.
“Janë 44.8 milionë euro apo 11.2 përqind të hyra tatimore të inkasuara për periudhën janar-shtator 2021, të cilat shifra kanë tejkaluar pritshmëritë krahas planifikimeve të parapara”, thuhet nga ATK.
Duke iu referuar statistikave, ATK ka bërë të ditur se është arritur që të mblidhen në total 447.01 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë mbledhur 110.8 milionë apo 33 përqind, si dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, pati rritje prej 74.7 milionë euro, apo 20.1 për qind.
“Një nivel si ky i arritjes së inkasimit të të hyrave, reflekton në zvoglim të shmangieve tatimore, përfshirje të barabart në sistemin tatimor të të gjithë tatimpaguesve, ulje të nëndeklaruesve, si dhe përkushtim profesional të stafit të ATK-së në zhvillimin e aktiviteteve sipas hartimit të planeve të punës dhe Strategjisë së Përmbushjes. Strategji kjo e cila është e orientuar në krijimi e një mjedisi përmbushës, duke lehtësuar procesin e përmbushjes përmes ngritjes së vazhdueshme të cilësisë së shërbimeve për të gjithë tatimpaguesit, të cilët përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre ligjore. Ndërsa, në anën tjetër zbatimi i forcës së ligjit bazuar në rrezik përmes identifikimit dhe trajtimit të të gjithë atyre tatimpaguesve të cilët hezitojnë apo kanë vendosur të mos përmbushin detyrime e tyre ligjore”, thuhet në komunikatën e ATK-së.