Administrata Tatimore e Kosovës e mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, përmes një tryeze diskutimi ka promovuar të dhënat e hapura, të publikuara në faqen e internetit të ATK-së: https://www.atk-ks.org/open-data/
Kjo tryezë kishte për qëllim të shërbejë si platformë për eksplorim të grupeve të të dhënave (datasete) tanimë të publikuara nga ATK-ja, për të ilustruar se si këto të dhëna mund të përdoren për t’i kuptuar më mirë trendet e ekonomisë në Kosovë por edhe për t’i informuar politikat e ekonomisë në të ardhmen.
Drejtori Ekzekutiv i ATK-së z. Ilir Murtezaj tha se hapja e të dhënave nga Administrata Tatimore është një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. Datasetet publike që janë bërë të qasshme, kanë sjellë shumë avantazhe për palët e interesuara. Qëllimi i kësaj nisme (Open Data) është rritja e transparencës, përmirësimi i percepcionit të publikut për institucionin e ATK-së. Veç kësaj shkas i kësaj iniciative është edhe Plani për Përmirësimin e Integritetit të ATK-së, në të cilin plan ndër aktivitetet qe janë planifikuar te zhvillohen është edhe publikimi i të dhënave, si dhe kërkesat e shumta që vijnë nga organizatat të ndryshme nga vendi dhe jashtë.
ATK deri më tani ka hapur dhjetë datasete, si: të hyrat tatimore në të cilat mund t’i gjejnë të dhënat e specifikuara sipas katalogut të paraparë në këto kategori: pagesat për vit, muaj, statusi i regjistrimit, numri i tatimpaguesve, përshkrimi i sektorit, sipas komunave, si dhe lloji i formularit të deklarimit. Më pas kemi qarkullimin e bizneseve në të cilin janë të ndara të dhënat e qarkullimit të bizneseve për vit, muaj, sektor, komunë, status i biznesit, numri tatimpagueseve dhe qarkullimi në euro, gjobat nga raportimet e qytetarëve, arkat fiskale, deklarimin, numri i punëtorëve (numri i vendeve të punës), numri i punëtorëve-IP (sipas ID personale), pagesat sipas periudhës, rimbursimet dhe regjistri aktiv.
E nga ana tjetër, znj. Dardane Peja përfaqësuese nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë tha se do të vazhdojnë ta mbështesin ATK-në edhe në të ardhmen. Tutje ajo tha se gjatë vitit të kaluar, USAID përmes programit ka dizajnuar dhe ka lansuar iniciativën për të dhënat e hapura. Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërtimin e cilësimit publik përmes rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.