Kevin Gameiro është gjithnjë e më pranë Atleticos së Madridit. Bisedimet mes Sevillas, klubit që zotëron kartonin e lojtarit dhe drejtuesve të Los Colchoneros janë në një stad të avancuar dhe mundësitë janë të mëdha që Gamiero të transferohet në Vicente Calderon gjatë kësaj vere.
Fillimisht Sevilla kishte kërkuar që skuadrat e interesuara për sulmuesin francez të paguanin klauzolën e largimit të futbollistit që kap shifrën e 40 milionë Eurove, por së fundmi klubi andaluzian ka ulur disi pretendimet ekonomike dhe 29-vjeçari mund të kalojë te Atletico për 30 milionë Euro, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh.
Gjithsesi jo vetëm kaq pasi në marrëveshjen që do të dërgojë Gameiron te Atletico, do të përfshihet edhe Luciano Vietto.
Në ditët e fundit ishte folur se sulmuesi i talentuar argjentinas do të transferohej te Barcelona por mesa duket bisedimet mes Barcës dhe Atleticos kanë ngecur dhe nga ky fakt ka përfituar Sevilla.
Andaluzianët duan që Atletico ta shesë Vietton te Sevilla me një cmim të jo shumë të lartë. Dëshira e drejtuesve të Atleticos së Madridit për të bërë të mundur transferimin e Kevin Gameiros në kryeqytetin spanjoll është aq e madhe saqë ata janë të gatshëm të plotësojë të gjitha kërkesat e Sevillas.
Edhe vetë sulmuesi francez dëshiron të kalojë në Vicente Calderon dhe po i shtyn drejtuesit e Sevillas të përshpejtojnë largimin e tij. Gamiero është bindur nga projekti që i ka propozuar trajneri Diego Simeone dhe te Atletico ai do të formonte një dyshe të gjithë franceze në sulm me Antoine Griezmann.