Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës., kryeministri Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci e kryediplomaten Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se që nga mbarimi i luftës, ka munguar vullneti i palës serbe për të lejuar gërmime në lokacione ku dyshohet se ka varreza masive. Andaj, ai ka kërkuar trysni nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave serbe, sepse “aty është e vërteta”.
Kurti ka thënë se shumica dërmuese e atyre që u zhvarrosen dhe u kthyen si kufoma në Kosovë, ka qenë në muajt e fundit të vitit 2000 dhe 2001, pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. Ndërsa, në Kosovë ai ka thënë se janë bërë më shumë se dy mijë gërmime në këto 25 vite.
“Shumica dërmuese ose mbi 94 për qind të atyre që u zhvarrosen dhe u kthyen si kufoma në Kosovë, kjo ndodhi në muajt e fundit të vitit 2000 dhe 2001, pra pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit në Serbi në varrezat masive në Batajnicë e Peruqac. Nga këto varreza masive janë nxjerrë gjithsej 900 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq, pastaj nuk ka pasur gërmime dhe në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2021, në dy varrezat masive janë nxjerrë edhe 61 shqiptarë të tjerë. Pra pjesa dërrmuese janë në muajt e parë të rrëzimit të Millosheviqit, më pastaj nuk ka pasur vullnet për gërmime të mëtutjeshme në Serbi, ndërsa në Kosovë i kemi 2800 gërmime në këto 25 vite”.
“Andaj i bëjmë thirrje edhe njëherë faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Serbinë, siç ka bërë trysni mbi Serbinë për gërmime në Sanxhak, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të merret një vendim i ri, që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave dhe të hapet. Aty është e vërteta”, deklaroi Kurti, raporton EO.
Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, ka thënë se edhe sot e 25 vite pas lufte nuk e din fatin e të pagjeturve. Ai ka thënë se si familjarë janë të pa kënaqur si me punën e ndërkombëtarëve dhe institucioneve vendore sa i përket kësaj çështje.
“Miliona njerëz sot lëshojnë lot dhe presin çka është duke ndodhur, ku edhe sot e kësaj dite ka të pagjetur. Kur them fëmijë, 133 nëna sot qesin më shumë lot se sot një vit. Sa kemi bërë për zbardhjen e fateve të pagjetur ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer. Jemi jo të kënaqur me institucionet vendore e ndërkombëtare, se fajin e ka Brukseli ku ndërkombëtaret nuk japin urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë. Nuk e dimë si munden që të mos gjej gjuhë të përbashkët 25 vite për të pagjeturit”, ka thënë ai.
Krahas liderëve institucional, homazhe kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, udhëheqës e përfaqësues të shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë.