Atyre votën, neve vdekjen

Prishtinë | 10 Jan 2025 | 12:29 | Nga Shenoll Muharremi

Më herët Banka Botërore na tha që 760 persona në vit vdesin parakohshëm nga ndotja e ajrit në Kosovë. Sikurse kjo mos të mjaftonte, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i paska thënë REL që 1,150 vdekje në vit i atribuohen ajrit të ndotur. Në Kosovë vdesin rreth 9,500 persona në vit gjithsejt, e 1.15k vetëm prej ajrit të ndotur.

Për 20 vite paskanë vdekur më shumë nga ajri i ndotur sesa në luftën e vitit 1999. Por nëse një rrezik nuk na mbyt menjëherë, për ne si duket nuk është telashe. Vazhdojmë me ju hjek filterat e naftës edhe makinave që me e rritë ende numrin e vdekjeve. Askush nuk i kontrollon makinat, se askush nuk kujdeset për vdekjet me gjasë.

Nuk është që nuk e kemi ditur këtë se ky fenomen është që sa kohë. Por a po bëjnë diçka me ndryshuar? Ndoshta po, por jo sa duhet. A e keni dëgjuar ndonjë parti politike që po garon në zgjedhje duke ofruar zgjidhje për këtë problem shumë të madh?

Nuk e kam dëgjuar asnjë parti duke treguar si do të zgjidhet sipas tyre ky problem. E me ju kërku nga gjysmë milioni vota, ju kërkojnë, nuk ju vjen turp. Atyre votën e neve vdekjet.

Edhe ato fotografitë e bukura me AI gjatë fushatës po i bëjnë mirë, por AI nuk po e përdorin me gjetë zgjidhje për këtë vrasës publik. 1,150 persona në vit, e për një mandat 4,600 vdejke të parakohshme janë. Ndoshta duhet më shumë, se kjo nuk po mjafton për me pas vëmendjen e politikës.

Nuk është fjala vetëm për një parti. Qeveria ka normalisht më shumë përgjegjësi, por edhe këto partitë që po garojnë duhet me na ofru zgjidhje të problemeve, a nuk ju vjen në mend për ajrin e ndotur? A i jetojnë fëmijët edhe atyre në Kosovë?

Nëse këto parti nuk janë me i zgjidhur këto probleme sikur ajri i ndotur, energjia, deficiti tregtar e shëndeti e arsimi publik… pse ekzistojnë pra? Me fituar pushtet e me menaxhuar paranë publike ndoshta…

Të ngjashme