Nuk ka kaluar edhe shumë kohë që Audi të paralajmërojë edhe një risi.
Pas prezantimit të SUV-it të saj të ri Q8, nga kompania vjen një njoftim për një risi, një veturë të re modeste, transmeton Koha.net. Fjala është për Audi A1 të ri i cili pritet të vijë së shpejti.
Këtë njoftim, Audi e ka bërë përmes publikimit të një fotografie në të cilën po shihet vetëm interieri, më saktësisht pjesa qendrore kur është i vendosur ekrani i madh i ndjeshëm në prekje (touchscreen). Po ashtu, edhe pse nuk shihet, thuhet se ky model kabinën (Cockpit) do ta ketë virtuale.
Nga premiera e A1 të ri na ndajnë vetëm disa javë. Dhe duke gjykuar nga fotografia, ai mund të prodhohet në Barcelonë. Është mjaft logjike sepse prodhimi po shpërngulet në Spanjë.
Për dallim nga modeli aktual i lansuar në vitin 2010, i cili erdhi nga Brukseli, i riu do të prodhohet në Martorell, me modelet e Seatit. Po ashtu, thuhet se parashikohet vetëm versioni Sportback me pesë dyer.