Auditori gjen mal me shkelje në Komunën e Podujevës

Prishtinë | 27 Qer 2016 | 22:40 | Nga

Kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliut, Auditori i Përgjithshëm i ka gjetur shumë shkelje gjatë vitit 2015.
Auditori ka identifikuar se në këtë Komunë janë punësuar njerëz për shërbime të veçanta, në kundërshtinë me ligjin, raporton lajmi.net.

“Komuna ka të punësuar punëtorë me kontrata për shërbime të veçanta. Ne kemi identifikuar se 13 kontrata kanë kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj e ndër to kishte edhe kontrata të lidhura që nga viti 2010. Sipas nenit 12 pika 4 të Ligjit për shërbyesit civil, kontratat për shërbime të veçanta mund të lidhen për një periudhe më të shkurtër se 6 muaj”, thuhet në raportin e Auditimit për Komunën e Podujevës.

Komuna e Podujevës po ashtu nuk i ka ofruar dëshmi Auditorit, kur i ka kërkuar dokumentet për t’i verifikuar shkeljet ligjore.

Në një rast Komuna ka shpërndarë subvencione, por auditori ka kërkuar dëshmi mbi bazën e cilit kriter janë shpërndarë subvencione, por Komuna e Podujevës nuk është treguar bashkëpunuese.

“Komuna kishte subvencionuar ndërtimin e serrave individuale me vlerë 146,554€, ku kishin aplikuar 120 fermerë. Sipas raportit të komisionit, 90% prej tyre i kishin plotësuar kriteret e vendosura me konkurs, ndërsa kanë përfituar 30 fermerë. Neve nuk na janë ofruar dëshmi se si janë përzgjedhë këta 30 përfitues në mesin e 120 aplikuesve. Komuna kishte subvencionuar bletarët me shoqëri bletësh (koshere) 99,500€, ku kishin aplikuar gjithsejtë 330 bletarë. Sipas raportit të komisionit 90% e tyre i kishin plotësuar kriteret e vendosura me konkurs, ndërsa kanë përfituar 100 bletarë. Neve nuk na janë ofruar dëshmi se si janë përzgjedhë këta 100 përfitues në mesin e 330 aplikuesve”.

Po ashtu kjo komunë ka dështuar në vjeljen e tatimit në pronë, kur borxhi është rritur për 7 për qind, raporton lajmi.net.

“Komuna nga tatimi në pronë për vitin 2015 kishte planifikuar që të realizoj shumën prej 312,000€, ndërsa ka realizuar 393,158€. Gjithsej ishin faturuar 18,778 obligues tatimor me një ngarkesë prej 486,092€. Nëse e krahasojmë me faturimin atëherë inkasimi del të jetë rreth 81%, ndërsa në krahasim me planin, ka një tejkalim të planit prej 26%. Pra, ekzistojnë shpërputhje të mëdha në mes planit, faturimit dhe inkasimit. Ne kemi testuar shtatë mostra nga tatimi në pronë dhe nga kjo kemi vërejtur se borxhet për vitin 2015 vetëm për këto raste ishin 10,388€. Borxhet e tatimit në pronë në vitin 2015 ishin rritur për 199,071€ apo 7% krahasuar me një vit më parë, përkatësisht nga 2,728,611€ në 2,927,682€. Komuna nuk kishte arritur të kryej verifikimin e 1/3 e pronave të paluajtshme, siç kërkohet me Ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme nr. 03/L-204 dhe udhëzimin administrativ nr. 03/2011 për mbledhjen dhe regjistrimin e informatave mbi pronën dhe tatimpaguesin. Ne kemi vërejtur se komuna nuk ka arritur të azhurnoj sistemin me informatat më të reja, për shkak se ka pasur mungesa të zyrtarëve anketues në terren për verifikim të pronave”, saktëson raporti i Auditorit.

Po ashtu Komuna e Podujevës ka krijuar borxhe me pronat e veta, sepse lokalet që i ka lëshuar me qira, nuk i paguhet nga shfrytëzuesit.

Kontratat në mes komunës dhe qiramarrësve nuk janë zbatuar, mirëpo këta shfrytëzues ende vazhdojnë punën në lokale të komunës, përkundër që iu ka skaduar kontrata.

“Nga pronat e dhëna me qira, komuna kishte planifikuar që të realizoj 60,000€, detyrimet sipas kontratave ishin 132,794€, ndërkaq kishte inkasuar shumën prej 59,579€. Ne kemi testuar 6 mostra të dhënies me qira të pronës komunale dhe kemi identifikuar këto dobësi: Në tri raste komuna kishte lidhë kontrata në vitin 2012 për dhënien në shfrytëzim të lokaleve afariste.. Kontratat nuk ishin zbatuar pasi që qiramarrësit nuk kishin bërë pagesat sipas kontratës. Borxhi total i grumbulluar ishte 25,726€. Menaxhmenti nuk kishte ndërmarr asgjë për t’i obliguar këta qiramarrës që t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj Komunës. Në një rast komuna vazhdon ta ngarkoj një subjekt afarist me qira mujore prej 700€ për shfrytëzim të paluajtëshmërisë, edhe pse kontrata kishte skaduar në vitin 2006. Që nga ajo periudhë ky shfrytëzues vazhdon ta shfrytëzoj këtë pronë pa kontratë, ndërsa borxhi total arrin vlerën 77,700€”.

“Po ashtu, në një rast tjetër komuna kishte lidhur kontratë me datën 19.07.2013 për shfrytëzimin e hapësirave publike për vendosjen e bilbordave në qytet. Pagesa për një vit që duhet ta paguajë qiramarrësi ishte 8,736€. Ky shfrytëzues nuk kishte paguar asnjëherë ndaj Komunës dhe borxhi total kishte arritur shumën 21,840€. Më tutje, komuna me datën 23.12.2015 ia kishte shkëputur kontratën këtij operatori dhe rastin e kishte dërguar tek përmbaruesi për ekzekutim, mirëpo Inspeksioni komunal në procesverbal të datës 27.02.2016 konfirmon se hapësirat janë duke u shfrytëzuar ende dhe pa kontratë. Komuna ka inkasuar gjithsej 55,802€, për vitin 2015 nga taksa për ushtrimin e veprimtarisë. Në Komunën e Podujevës operojnë afro 2937 biznese, ku shuma e ngarkuar sipas tarifave ishte 269,379€. Ne kemi testuar 10 mostra ku kemi vërejtur se tetë (8) prej tyre nuk i kanë kryer obligimet dhe borxhi total i tyre ndaj Komunës është 49,340€. Shuma e këtyre llogarive të arkëtueshme po rritet prej viti në vit, dhe se në vitin 2015 gjendja e llogarive është 3,434,829€, ndërsa në fund të vitit 2014 ka qenë 3,239,302€, pra shihet një rritje për 195,527€”.

Shkelje Auditori ka gjetur edhe në pagesat e faturave që nuk i ka kryer me kohë kjo komunë, raporton lajmi.net.

Komuna e Podujevës nuk i protokollon faturat në zyrën e veçantë të protokollit, por pranimi bëhet nga tri drejtoritë, si: administrata, shëndetësia dhe arsimi.

“Ne kemi testuar 19 fatura të papaguara që janë raportuar si borxhe në Ministrinë e Financave dhe kemi konstatuar se komuna nuk i ka kryer obligimet brenda afatit të paraparë prej 30 ditësh, për arsye të mungesës së mjeteve. Po ashtu, komuna me rastin e ardhjes së faturave, nuk i protokollon ato në zyrën e veçantë të protokollit, por pranimi bëhet nga tri drejtoritë, si: administrata, shëndetësia dhe arsimi. Obligimet e papaguara në shumë prej 18,416€, të identifikuara në 13 fatura të vitit të kaluar nuk ishin shpalosur në PVF të vitit 2014, ndërkaq pagesat janë kryer në vitin 2015”.

Të ngjashme