Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin për Komunën e Malishevës për vitin 2018 përveç të tjerash ka evidentuar parregullsi në menaxhimin e procedurave të rekrutimit të shërbyesve publikë, lëshime te marrëveshjet për shërbime të veçanta, sikurse edhe dobësi te menaxhimi i dosjeve të personelit.
Auditori ka konstatuar se mangësitë në menaxhimin e procedurave të rekrutimit janë rezultat i kontrolleve joefikase dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme menaxheriale në përzgjedhjen e personelit.
Me këto gjetje, është pajtuar edhe menaxhmenti i Komunës, që është zotuar se do të ketë angazhime në afatin sa më të shkurtër kohor për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit, shkruan sot Koha Ditore.
ZKA-ja, duke përkujtuar legjislacionin që rregullon procesin e rekrutimit për shërbyesit publikë, ka theksuar se nga shqyrtimi i dy proceseve të rekrutimit për mësimdhënës të zhvilluara nga Drejtoria Komunale e Arsimit janë identifikuar disa parregullsi.