Numër i madh parregullsish nga më të ndryshmet, nisur që nga keqmenaxhimi i buxhetit përmes raportimit të gabueshëm nëpër kategori ekonomike, dështimi i implementimit të projekteve të shumta kapitale, vonesat në realizimin e projekteve konform afateve ligjore, lidhja e kontratave pa mjete të zotuara, në anën tjetër janë kryer punë në projekte pa kontrata, punësimi i një numri të madh personash me kontratë mbi vepër, rritja drastike e obligimeve të papaguara, etj. janë identifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të kenë ndodhur në Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2018.
Kështu, Auditori ka gjetur se shpenzimet në vlerë prej mbi 1.4 milionë eurosh ishin realizuar dhe raportuar gabimisht nëpër kategori ekonomike, si në vijim: Shpenzimet për mallra dhe shërbime (Mirëmbajtja e sipërfaqeve publike, deratizimin e podrumeve, trajtimin e qenve endacakë, zgjedhjen e sportistit të vitit, dezinsektimin hapësinor, art në hapësira publike), janë paguar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale. Në anën tjetër, vërehet një rritje e madhe e detyrimeve kontingjente, gjatë vitit 2018, shkruan sot Koha Ditore.
“ Kështu, krahasuar me vitin e kaluar, tani ka një rritje enorme të detyrimeve kontingjente, vlera e të cilave në vitin 2017 ishte 6.180.290 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Ai ndër të tjera theksohet se Komuna e Prishtinës kishte shpenzuar 71 për qind të buxhetit final për vitin 2018, “që nënkupton një realizim jo të kënaqshëm në nivel të përgjithshëm”.