Auditori i Përgjithshëm ka shumë vërejtje në mënyrën si u menaxhua Fondi për Veriun

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 11:45 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra Kombëtare e Auditimit ka prezantuar raportin e auditimit përcjellës “Zbatimi i rekomandimeve të raportit ‘Fondi Zhvillimor’ dhe efektet e fondit” ku ka dalë me  disa rekomandime, raporton Ekonomia Online.   Auditori ka gjetur se katër komunat e veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq nuk kanë zbatuar rekomandimet e dhëna në vitin 2017.

Vetëm katër nga 13 rekomandimet e dhëna ishin zbatuar plotësisht, pesë pjesërisht,  ndërsa katër rekomandime nuk ishin zbatuar fare.

ZKA ka vlerësuar se progresi është i limituar dhe mbetet hapësirë për menaxhim më të mirë dhe kontroll financiar gjatë zbatimit të projekteve të financuara nga ky fond.

Auditori ka rekomanduar katër komunat veriore  të përgatisin planet e tyre përkatëse të veprimit për zbatimin  e rekomandimeve të auditimit.

Rekomandim tjetër i ZKA është që projektet të zbatohen në mënyrë efikase dhe efektive.

Auditori u ka rekomanduar komunave që për secilin projekt të caktojnë një zyrtar përgjegjës që nga faza konceptuale e projektit e deri në vënien e tij në dispozicion të qytetarëve.

Po ashtu është rekomanduar që  të hartojnë projekte të plota dhe të gjejnë mënyra që t’i venë në dispozicion të qytetarëve projektet që janë përfunduar, por që ende nuk janë funksionalizuar.

Auditori i ka rekomanduar Bordit Menaxhues të Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit, që të                                  miratojë projekte që janë të plota në të gjitha aspektet dhe që vendimet për financim të projekteve të reja t’i bazojë në performancën e komunave.

Në këtë tryezë është bërë e ditur se përgjegjës për zbatimin e rekomandimeve të dhëna ishin Ministria e Financave, Dogana e Kosovës, Komuna e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani si dhe Bordi Menaxhues i Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani tha se auditimi i këtij fondi është specifik pasi buron nga marrëveshja e Brukselit dhe dallon nga të gjitha procedurat e tjera që aplikohen në buxhetin e Kosovës.

“Auditimi i këtij fondi është shumë specifik buron nga marrëveshja e Brukselit dhe vet mënyra e vjeljes së taksave doganore, që vijnë nga pikat kufitare në veri, vet mënyra e buxhetimit, mënyra e shpenzimit për qëllime që është dhënë dhe përfituesit që janë është shumë karakteristike dhe dallon nga krejt procedurat e tjera standarde të cilat aplikohen në buxhetin e Kosovës.”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, edhe për ZKA  ka qenë një lloj sfide auditimi i këtij fondi duke marrë për bazë edhe karakteristikat e veçanta që aplikohen nga vet menaxhimi i fondit.

“Vet organi që e menaxhon këtë fond është shumë specifik sepse udhëhiqet nga ambasadori i BE-së  në Kosovë, ministri i financave dhe e treta një përfaqësues nga katër komunat nga Veriu i Kosovës.  Ky grup nga tre persona është përgjegjës për të siguruar se kjo pjesë e marrëveshjes së Brukselit zhvillohet dhe po zbatohet mirë në mënyrë efektivë në Kosovë dhe e dyta se në zbatimin e këtij fondi janë zbatuar të gjitha kërkesat që dalin nga kornizat rregullative të Republikës së Kosovës.”, tha ai.

Vlora Spanca, ndihmës auditor i përgjithshëm tha se komunat nuk i  kishin zbatuar rekomandimin e dëgjimeve publike.

“Qytetarët ishin ftuar në dëgjime, mirëpo jo për projektet e financuara nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit. Komunat nuk ishin mjaft efikase në vënien në dispozicion të projekteve të financuara nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit e në disa raste nuk ishin efektive. Disa projekte nuk ishin përfunduar brenda afateve të përcaktuara ndërsa kishte projekte që ende nuk kishin filluar të zbatohen përkundër faktit se komunat kishin buxhet në dispozicion”, tha Spanca.

Fondi Zhvillimor është themeluar në Marrëveshjen e Brukselit për Mbledhjen e të hyrave Doganore dhe  ka për qëllim promovimin e zhvillimit social – ekonomik dhe përfitimin e popullatës vendore në Komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Të ngjashme