Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Përgjithshëm Administrativ në këtë institucion, Imri Semetishti tha se ndarja buxhetore për vitin 2020 nuk ka qenë e mjaftueshme.
“Viti 2020 karakterizohet me pandeminë dhe ka ndikuar në aktivitetet e punës. Në kuadër të strukturës së buxhetit ndarja buxhetore shkon për paga dhe mëditje”.
“Ndarja buxhetore nuk ishte e mjaftueshme dhe qeveria në fund të vitit ka kompensuar me një shumë mbi 180 mijë euro për nevojat për pagesat e pagave”.
Kryesuesi i Komisionit Armend Muja, tha se shuma e qerasë prej 162 mijë është e madhe.
“Sa i përket qerasë 162 mijë euro është, shumë po më doket? Auditori në objekt me qera më duke një veprim i pazakontë”.
“Prej shumicës së institucioneve presim që me qen engjëj por prej juve presim me qenë shenjtor sepse i gjykoni të tjerët”.
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se nuk është në mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të vendosur që të transferohet në objekt në pronësi të shtetit.
“Është jashtë mandatit që të ketë mundësi të vendoset në objektet e shtetit, ne për të gjitha qeveritë kemi bërë kërkesa, vërtet që nga viti 2003 aktivitetin e ushtron në objekte me qera dhe ajo çka kemi pas mundësi me bë i kemi ulë kosto”.
“Ne nuk kemi ndonjë auditim se sa është vlera e institucioneve publike që përdorim qera”.