Augsburgu shpreson të përfitojë rreth 15 milionë euro nga Berisha

Prishtinë | 01 Gus 2023 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi Mërgim Berisha pritet të fillojë me stërvitje këtë javë, nëse çdo gjë shkon mirë. Trajneri i Augsburgut të Bundesligës gjermane, Enrico Maassen, e ka bërë të ditur këtë. Por Maassen nuk e ka planifikuar Berishën për udhëtimin në Itali, ku Augsburgu në fundjavë luan ndaj Salernitanas dhe ndaj Napolit.

Është diskutabile nëse Berisha do të luajë më për Augsburgun, apo do të përshëndetet me bashkëlojtarët pas vetëm një edicioni, ka shkruar “Kicker” të martën. Për shkak të një lëndimi, 25-vjeçari ka munguar në fazën përgatitore deri më tani.

Në fund të gushtit të vitit të kaluar, Augsburgu e huazoi Berishën nga Fenerbahçe. Berisha nisi furishëm. Ai shënoi nëntë gola dhe bëri katër asistime, por luajti pak në fazën përfundimtare të kampionatit të kaluar. Augsburgu shfrytëzoi të drejtën e blerjes së sulmuesit për rreth katër milionë euro dhe tani synon përfitim financiar nga sulmuesi.

Berisha në mars të këtij viti debutoi te Gjermania dhe nuk e ka fshehur faktin që Augsburgun e sheh vetëm si stacion për më lartë.

Por për shkak të lëndimit, skuadrat e interesuara janë më të rezervuara aktualisht. Sipas “Kicker”, Augsburgu aktualisht nuk ka ndonjë ofertë konkrete për Berishën.

Ka pasur raportime që Berisha ka synim të transferohet në një klub ambicioz në Serie A. Por edhe në Bundesligë disa klube mund të kërkojnë sulmues, nëse fillon të ketë lëvizje në tregun e lojtarëve.

Çmimi për Berishën mund të ketë rënë krahasuar me mars apo prill. Augsburgu shpreson të përfitojë nga shitja e tij prej 11 deri në 15 milionë euro. Edhe qëndrimi tek Augsburgu është opsion. Por më pak i mundshëm.

Debutimi te Gjermania ka rritur vlerën e sulmuesit. Dhe me shumë gjasa ai do të luaj për ndonjë skuadër më të madhe se Augsburg. Red Bull Salzburg, LASK, Magdeburg, Altach, Fenerbahçe janë skuadrat e kaluara të Berishës.

Të ngjashme