Austin: Mbështetja e Amerikës për Izraelin është e palëkundur

Prishtinë | 18 Dhj 2023 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ai dhe Yoav Gallant kanë folur “pothuajse çdo ditë” përmes telefonit dhe se ishte mirë të shihte personalisht homologun e tij izraelit.

“E di që Izraeli ka ndryshuar thellësisht nga vendi ku ishit më 6 tetor. Kështu që unë jam këtu me një mesazh të qartë: mbështetja amerikane për sigurinë e Izraelit është e palëkundur. Izraeli nuk është i vetëm”, deklaroi ai.

Austin këto i tha duke folur në një konferencë shtypi gjatë vizitës së tij të katërt në Izrael që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Tutje sekretari amerikan u shpreh se Izraeli “ka çdo të drejtë” për të mbrojtur veten kundër Hamasit, të cilin ai e përshkruan si një “grup terrorist fanatik, qëllimi i deklaruar i të cilit është të vrasë hebrenjtë dhe të zhdukë shtetin hebre”.

“Hamasi ende mban pengje, duke përfshirë edhe shtetas amerikanë. Hamasi ngulit veten dhe fshihet pas civilëve të pafajshëm palestinezë. Hamasi nuk flet në emër të popullit palestinez”, deklaroi mes tjerash Austin.

ShBA-ja do të vazhdojë të shtyjë “pamëshirshëm” për kthimin e sigurt të pengjeve në Gaza dhe për të ndihmuar Izraelin në përpjekjet e tij për t’i sjellë ata në shtëpi, shtoi ai.

Austin gjithashtu deklaroi se çështja mbetet një “prioritet kryesor” për ShBA-në dhe presidentin amerikan Joe Biden.

Të ngjashme