Komisionerja për informim i Australisë do ta padisë rrjetin e famshëm social, Facebook, për shkak të dyshimeve rreth shkeljes së privatësisë së 300 mijë australianëve. Rasti ka të bëjë me skandalin “Cambridge Analytica”.
Në rastin e dorëzuar në Gjykatën Federale, komisionerja Angelene Falk pretendon se Facebook-u ka kryer ndërhyrje serioze dhe të përsëritura në privatësinë e përdoruesve në kundërshtim me ligjin australian për privatësi, sepse të dhënat e mbledhura nga rrjeti social kanë kaluar në një aplikacion për profilizim politik, ndryshe nga qëllimi zyrtar.
Në mesin e të dhënave të mbledhura nga përdoruesit ishin përfshirë emrat, ditëlindjet, adresat elektronike, adresat e banimit, listat e miqve, pëlqimet e faqeve dhe mesazhet e shkëmbyera përmes Facebook-ut.
“Ne konsiderojmë se dizajni i platformës së Facebook-ut nënkuptonte që përdoruesit nuk kishin mundësi të ushtrojnë zgjedhje të arsyeshme në lidhje me atë se si do të publikohen të dhënat e tyre”, tha Falk.
Rreth 87 milionë përdorues të këtij rrjeti në mbarë botën ishin prekur nga skandali “Cambridge Analytica”, shkruan “The Guardian”.