Australia kërkon ashpërsim të ligjeve për armë pas sulmit me 15 të vrarë në Sydeny

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 07:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri australian, Anthony Albanese tha se do të vendosë rregulla më të rrepta, duke përfshirë kufizimet kohore për licencimin, në agjendën e kabinetit të tij të hënën.

Kryeministri i shtetit të Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, është zotuar për një përgjigje “dërrmuese” ndaj sulmit në Sydeny ku mbetën të vrarë 15 persona. Australia tashmë ka disa nga ligjet më të rrepta për armët në botë, shkruan CNN.

Viktima më e re është një fëmijë: Një vajzë 10-vjeçare me emrin Matilda është identifikuar si një nga 15 të vrarët në sulm. Ajo po festonte natën e parë të Hanukkah me familjen e saj kur personat e armatosur hapën zjarr. Ajo vdiq nga plagët e marra në spital.

Të dyshuarit babë e bir: Djali 24-vjeçar, i cili kishte lindur në Australi, ishte ekzaminuar më parë nga agjencia e sigurisë së vendit ASIO, e cila vlerësoi se nuk kishte kërcënim për përfshirjen e tij në dhunë. Babai, të cilin policia e qëlloi dhe e vrau në vendngjarje, kishte një licencë gjuetie rekreative dhe ishte pjesë e një klubi armësh. Ai mbërriti në Australi në vitin 1998.

Policia ka bastisur një shtëpi periferike në Sydney në lidhje me sulmin. Nuk është e qartë se kush jetonte në shtëpi. Fqinjët përshkruan skena kaosi dhe frike ndërsa oficerët mbushën rrugën e tyre zakonisht të qetë.

38 persona po trajtohen në spital. Ky numër është pak më i ulët se 40 të raportuar si nën trajtim spitalor në një përditësim të mëparshëm nga zyrtarët.

Të ngjashme