Adoleshentja amerikane Coco Gauff e befasoi kampionen në fuqi Naomi Osaka në dy sete radhazi dhe e arriti rundin e katërt të turneut Australian Open.
15-vjeçarja shkëlqeu në arenën Rod Laver në Melburn dhe e mposhti Naomi Osakan në dy sete radhazi, 6-3 6-4, duke e fituar kështu ndeshjen, transmeton Gazeta Express.
Osaka e kishte fituar takimin e vetëm paraprak me Gauff në US Open të vitit të kaluar, por ishte Gauff ajo që arriti të triumfojë këtë herë në Australi, duke e mbyllur ndeshjen në 67 minuta lojë.
“Nuk e di se si ndodhi kjo. Sinqerisht, dua të them, çfarë është bërë jeta ime tani?”, tha amerikania pas ndeshjes.
“Para dy vjetëve e kisha humbur rundin e parë të të rinjve dhe tani jam këtu”, shtoi Gauff.
“Unë po i thosha vetes të përqendrohesha vetëm në pikën e radhës dhe të vazhdoja të luftoja. Ti nuk mund ta dish kurrë çfarë do të ndodhë në fushë”.
Gauff do të luajë ose kundër kinezes Zhang Shaui ose amerikanes Sofia Kenin në rundin e katërt, përderisa Serena Williams u mposht nga kinezja Qiang Wang.