Turneu i parë “Grand Slam” i vitit në tenis, “Australian Open” nisi me një surprizë.
Andy Murray u eliminua që në raundin e parë të turneut që zhvillohet në Melbourne.
Spanjolli Roberto Bautista Agut ishte ai që mundi britanikun, në atë që mund të quhet ndeshja e fundit e karrierës së tij. Ajo mes Murray dhe Bautistës ishte një sfidë shumë e luftuar, me spanjollin që e mbylli sfidën pas 4 orë loje, me rezultatin 3-2.
Murray nuk u tërhoq aspak në këtë ndeshje, edhe pse e pa veten në disavantazhin e dy seteve, të cilët i humbi 4-6 dh 4-6. Britaniku barazoi gjithçka duke bërë të tijët dy setet e tjerë, me “tiebreak” 7-6 dhe 7-6, për ta çuar ndeshjen në setin final, që Bautista e fitoi 6-2, por emocionet ishin të gjitha për ish-numrin 1 të botës, për të cilin të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë duke duartrokitur gjatë.
“Ju falënderoj të gjithëve që erdhët. Kam luajtur këtu për shumë vite. Është një vend i mrekullueshëm për të luajtur tenis. Nëse kjo ishte ndeshja ime e fundit, atëherë u mbyll në mënyrë të mrekullueshme. Dhashë maksimumin tim, por nuk mjaftoi. Kështu që uroj Roberton dhe stafin e tij”, tha Andy Murray, shkruan top-channel .
Ndërkohë, u kualifikua për në raundin e dytë edhe kampioni në fuqi Roger Federer, që mundi Denis Istomin në tri sete, 6-3, 6-4 dhe 6-4. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Rafael Nadal ndaj Duckworth, duke i mbyllur setet 6-4, 6-3 dhe 7-5.