Nuk ekziston “absolutisht asnjë arsye” për shtyrje tjetër të Brexitit, sepse situata në parlamentin britanik nuk ka ndryshuar rrënjësisht, ka thënë të mërkurën kancelari austriak, Sebastian Kurz.
Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë të martën se ajo do të kërkojë shtyrje tjetër të datës për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian. Ajo ka thënë se dëshiron të ketë një shtyrje të shkurtër përtej 12 prillit.
“Nga pikëpamja e ditës së sotme, nuk ekziston asnjë arsye për shtyrje pasi kaosi në Britani nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndonjë plan të dytë që siguron mbështetjen e parlamentit britanik”, ka thënë Kurz në një konferencë për media.
“Le të lutemi për kryeministren britanike dhe përpjekjet e saj, le të lutemi se ajo do të bindë anëtarët e parlamentit dhe të gjejë një rrugë për ta anashkaluar Brexitin pa marrëveshje”.
Kurz dhe liderët tjerë të Bashkimit Evropian e kanë përsëritur vazhdimisht se çfarëdo shtyrjeje duhet të ketë arsye të qartë dhe nuk duhet të shërbejë vetëm për të fituar kohë.
“Ne kemi arritur në një situatë kur Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë shumë. Tani topi është te parlamenti britanik”, ka thënë Kurz.
Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se është e gatshme të negociojë me liderët opozitarë britanikë për të gjetur një gjuhë të përbashkët sa i përket Brexitit, meqë të gjitha amendamentet dhe marrëveshja qeveritare janë refuzuar nga ligjvënësit britanikë.
Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.