Austria po planifikon testimin e secilit person në qendrat e të moshuarve, duke zgjeruar masat që ka marrë tashmë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ka bërë të ditur të enjten ministri austriak i Shëndetësisë, Rudolf Anschober.
Ai ka thënë në një konferencë se ulja e numrit të rasteve është 0.9 për qind, sipas tij, shkallja më e ulët e përhapjes në Evropë, derisa ka shtuar se do të testohet një numër i madh personash.
“Fokusi më i madh në javët në vijim do të jetë në testimin e të gjithë stafit dhe personave që qëndrojnë në shtëpitë e të moshuarve dhe ato të kujdesit për të moshuarit. Po flasim, zonja e zotërinj, për 130 mijë njerëz“, ka thënë po ashtu Anschober gjatë konferencës, raporton Reuters, transmeton KOHA.
Deri më tani shteti austriak i ka raportuar vetëm 410 vdekje, që është shumë më pak krahasuar me numrin e të vdekurve në shtetet tjera evropiane. Austria është një nga shtetet që ka pasur më së shumti sukses në rrafshimin e kurbës së përhapjes së virusit.