Austria voton në zgjedhjet nacionale, ekstremi i djathtë pritet të fitojë

Prishtinë | 29 Sht 2024 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Vendvotimet janë hapur të dielën për zgjedhjet nacionale në Austri, teksa Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë shpreson që të fitojë për herë të parë, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e votuesve për emigracionin, inflacionin, luftën në Ukrainë dhe shqetësime të tjera.

Herbert Kickl, një ish-ministër i Brendshëm i cili ka udhëhequr Partinë e Lirisë që nga viti 2021, dëshiron të bëhet kancelari i ri i Austrisë, raporton AP.

Por për ta arritur këtë, atij do t’i duhej një partner koalicioni për të udhëhequr një shumicë në dhomën e ulët të parlamentit. Mirëpo fitorja nuk është e sigurt, pasi sondazhet e fundit tregojnë për një garë të ngushtë.

Sipas sondazheve, votuesit kanë dhënë mbështetje për Partinë e Lirisë me 27%, për Partinë Konservatore Popullore Austriake të kancelarit Karl Nehammer me 25% dhe socialdemokratët e qendrës së majtë me 21%.

Megjithatë, Kickl ka arritur një kthesë që nga zgjedhjet e fundit të Austrisë në vitin 2019.

Në qershor, Partia e Lirisë fitoi ngushtë për herë të parë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, të cilat gjithashtu ishin në favor për partitë e tjera të ekstremit të djathtë evropian.

E djathta ekstreme ka prekur zhgënjimin e votuesve për inflacionin e lartë, fushatën ushtarake ruse në Ukrainë dhe pandeminë COVID.

Të ngjashme