Autobusët, veturat emergjente dhe taksitë nga e premtja kanë filluar qarkullimin në sheshin “Xhorxh Bush”, në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, tha se hapja e kësaj rrugë e lehtëson shumë transportin publik në kryeqytet.
Mirëpo ai bëri thirrje që qytetarët të vetëdijesohen se kjo rrugë duhet të shfrytëzohet vetëm për transport publik dhe jo vetura private.
“Kjo rrugë është transport publik, transporti publik e lehtëson jashtëzakonisht shumë. Mirëpo duhet që të kenë vetëdijesim qytetarët që kjo rrugë, shfrytëzohet vetëm për transport publik edhe mesi të shfrytëzohet si lloj sheshi për këmbësor e qytetarët e jo siç e shohim që bizneset veq e përdorin për furnizim”.
“Ajo të bëhet për furnizim pas orës 24 deri në ora 6 të mëngjesit, ku frekuentimi është i vogël edhe kanë hapësirë prapa ndërtesave. Do të thotë të shfrytëzohet vetëm për transport publik, siç është i paraparë me shenja”, tha ai për EO.
Kadri Berisha tha se lirimi i kësaj rruge do ta lehtësoj më shumë komunikacionin.
“Ma mirë është, e ka lehtësuar komunikacionin”, tha ai.
Fatmir Makolli, tha se vendimi që në këtë rrugë të kalojnë vetëm autobusët është një vendim i mirë që ka marr komuna e Prishtinës.
“Është mirë që të jetë vetëm për zyrtar dhe autobusët, dhe jo të hyj çdo automjet. Dikush të shëtis për qefë, bash me vend e ka bërë kryetari komunës këtë. Një rast urgjent diçka, këtu është hapur, u dashtë më herët që kjo të bëhet. Bash me vend e ka bërë këtu”.
Sipas ndërmarrjes komunale Trafiku Urban lejohet qarkullimi i autobusëve të linjave 1, 3 dhe 4 sipas rendit të udhëtimit të mëparshëm në drejtim të rrugës “Xhorxh Bush”.
Linja 1 vlen vetëm për autobusët e ndërmarrjes komunale dhe jo për ata të kompanive private.
Tutje, Trafiku Urban thekson se autobusët në sheshin “Xhorxh Bush” do të lëvizin me shpejtësi të kufizuar në 20 km/h. Derisa, linjat 1A dhe 7C do të vazhdojnë sipas rendit të udhëtimit të tanishëm.
Qarkullimi ishte planifikuar të fillonte me 8 janar, këtë e kishte konfirmuar për Ekonomia Online, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.
LEXONI EDHE:




