Autokratëve iu duhet populli i varfër, po shkatërrohet ideja e shtetit

Prishtinë | 15 Nën 2023 | 16:06 | Nga Lirim Mehmetaj

Buxheti i përgjithshëm i ndarë për investime kapitale për vitin 2023 në Kosovë është 896.44 milion euro.

Prej tyre deri më 30 shtator 2023, janë shpenzuar vetëm 263.78 milion euro apo 29 % e vlerës totale të parashikuar.

Janë disa ministri që kanë shënuar 0% investime kapitale, siç është ajo e Bujqësisë, derisa Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm 8% të shumës së ndarë.

Krejtësisht paradoksale kjo kur spitalet në Kosovë më shumë ngjajnë në objekte ogurzeza dhe gërmadha të braktisura sesa në ambiente rehabilitimi dhe përmirësimi të shëndetit.

Shumica e ministrive janë pak a shumë kështu.

Mungesa e shpenzimeve të parasë së ndarë nënkupton mungesë të politikave që do t’u gjenin përdorimin adekuat këtyre të hollave.

Krejt filozofia e taksimit të qytetarëve është që ato të kthehen në formë të investimeve për ta.

Derisa me marrëveshje të dëmshme shkatërrojnë strukturën institucionale të shtetit, me mungesën e rishpërndarjes së parasë te qytetarët përmes investimeve shkatërrojnë vetë idenë e shtetit.

Autokratëve iu duhet populli i varfër.

Populli i varfër shantazhohet, bindet dhe dominohet më lehtë.

Ky është shkatërrim i qëllimshëm.

P.S
Ah po, është një fushë ku ka pasur “investime kapitale”. 113 milionë për pagesën e rrymës në Veri për vetëm dy vjet. 63 milionë vetëm për vitin 2022. Të tjerat për vitin 2023 që ende s’ka përfunduar.

Të ngjashme