Ka kaluar një muaj prej kur familja e Sevdije Kuklecit, 39-vjeçares nga fshati Lluga i Istogut ka qenë duke pritur rezultatin e autopsisë për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së familjares së tyre.
Sipas dokumentit të siguruar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali, Instituti i Mjekësisë Ligjore shkaktarin kryesor të vdekjes e ka gjetur Sepsën.
“Sëmundja apo gjendja e drejtpërdrejtë që e ka shkaktuar vdekjen – SEPSA. Gjendja e cila ka sjellë deri te shkaktari i vdekjes – PERITONITI FIBRINOZ PURULENT. Shkaktari kryesor i vdekjes – PERFORIMI I ULCERËS DEODENALE”, thuhet në certifikatën e vdekjes së Sevdije Kuklecit.
Motra e të ndjerës, Fatime Salihi duke rrëfyer ngjarjen, ka thënë se e gjitha nisi me dhimbjen e lukthit, por që në Spitalin e Pejës ku edhe është trajtuar, sipas saj është injoruar nga mjekët.
Salihi thotë se rasti nuk është trajtuar si duhet sepse me gjithë dhimbjet e mëdha që kishte motra e saj, ajo është trajtuar vetëm me qetësues.
“Gjatë qëndrimit në Pejë është neglizhuar aq shumë rasti sa qe nuk është trajtuar në mënyrë të duhur për lukth, mirëpo vetëm me qetësues dhimbjesh. Madje me këtë problem në lukth i është dhënë ushqim i rëndë (lakra me mish). Kjo neglizhencë është bërë me arsyetim që të enjtën ka qenë festë dhe vetem e premtja ka qenë ditë e rregullt të punës, pastaj vikend. Nuk është bërë një inçizim i lukthit për të parë gjendjen e tij. Pasi i ka shpërthyer i thati në lukth, ështe dërguar për Prishtinë që ka qenë shumë vonë për të. Dua të theksoj se mjekët nuk janë pajtuar mes vete se kush të mirret me rastin, ata në sytë e saj (të ndjerës) kanë debatuar se kush do ta trajtojë”, ka thënë Salihi.
Më tej, ajo thotë se kur kanë shkuar në Prishtinë motra e saj ka qenë në rëndë shëndetësore. Sipas saj referimi i vonuar nga spitali i Pejës ka qenë fatal për të.
“Kur ka shkuar rasti në Prishtinë ka qenë tepër vonë sepse gjendja e saj ishte shumë e rëndë. Jo që po e them unë, por nga çdo mjek që e ka përcjell rastin sa ishte duke u trajtuar në QKUK e kam dëgjuar fjalën “Peja e ka vonuar shumë rastin dhe nuk është hera e parë që po i vonojnë”, ka shtuar Salihi.
Nuk kishte kaluar shumë kohë prej kur Sevdije Kukleci kishte vdekur, ndërsa familjes i ishte thënë se vdekja ka ardhur si pasojë e infektimit me koronavirus. Dyshimet e familjes për shkaktarin e vërtetë të vdekjes u shtuan akoma më shumë kur të gjithë personat që kishin pasur kontakt me të u testuan për COVID-19 dhe asnjë nga ta nuk rezultoi pozitiv.
“Tash e më shumë se një muaj kanë kaluar dhe gjitha që kemi në dorë është një certifikatë e IML-së që tregon se shkaku i vdekjes së motrës time është Sepsa apo shpërthimi i të thatit në lukth. Ende nuk kemi asnjë informatë rreth hetimeve ndaj rastit, nuk e dimë se pse është bartë rasti nga Prokuroria e Pejës në Prokororinë e Prishtinës”, tha tutje ajo.
Lidhur me pretendimet e familjes se Spitali i Pejës është fajtor që vajza/motra e tyre nuk jeton më, Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë gjatë ditës me drejtorin e këtij spitali, Skender Dreshaj, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Gazeta Sinjali po ashtu ka dërguar pyetje në adresë të spitalit, por deri në momentin e publikimit nuk ka pranuar përgjigje.
Ndërsa, sa i përket rezultateve të autopsisë dhe hetimeve lidhur me rastin në fjalë, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por ata nuk kanë pranuar të përgjigjen me arsyetimin se çdo informatë lidhur me rastin mund ta dëmtojë procesin hetimor.
I kontaktuar përmes telefonit mjeku ligjor që kishte kryer autopsinë e të ndjerës, Flamur Blakaj nuk pranoi të prononcohet rreth të gjeturave të tij.
Familja thotë se ata nuk do të ndalen dhe se rasti do të përcjellet në instancat më të larta të drejtësisë në vend në mënyrë që fajtori për vdekjen e të ndjerës Kukleci të dal para drejtëisë.