Autori i masakrës së Las Vegasit u vetëvra

Las Vegas | 02 Tet 2017 | 17:29 | Nga

Për policinë, 64-vjeçari Stephen Paddock, banor i Las Vegasit, ishte një ujk vetmitar pa lidhje terroriste. Por, të afërmit e përshkruajnë atë si një njeri normal, pa ide ekstremiste dhe pa precedentë penalë, përveçse ndonjë shkelje të vogël të rregullave të qarkullimit.

E megjithatë, mbrëmjen e së dielës ai u mbyllë në një dhomë të katit të 32-të të hotelit “Mandalay Bay”, nga ku derdhi një breshëri plumbash ndaj personave që po ndiqnin një koncert të muzikës “Country”.

Pasi kreu masakrën më të rëndë me armë zjarri në historinë amerikane, duke vrarë mbi 50 vetë e duke plagosur rreth 400 të tjerë, ai i dha fund edhe jetës së tij. Policia gjeti në dhomën e autorit një arsenal të vërtetë armësh.

“Ne besojmë se ky individ vrau veten përpara se ne të hynim. Në dhomën e hotelit ku po qëndronte ai gjetëm 10 armë zjarri”, tha Joseph Lombardo, sherif i kontesë.

Policia njoftoi gjithashtu se partnerja e 64-vjeçarit, e identifkuar si Marilou Danley, e cila po kërkohej më herët nga policia, kishte qenë jashtë vendit në momentin e sulmit. Mendohet se agresori kishte përdorur mjetet e saj të identifikimit për t’u regjistruar në hotel.

Dëshmitarë e video nga vendi i ngjarjes treguan kaosin dhe panikun që përfshiu personat që po ndiqnin koncertin në ambient të hapur, kur filluan të dëgjoheshin krismat e asaj që dukej të ishte armë automatike. Sipas policisë, atje gjendeshin mbi 22 mijë njerëz.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme