Zyrtarët në Indonezi thanë se të 189 njerëzit në bordin e aeroplanit që u rrëzua në det, “sipas të gjitha gjasave kanë vdekur”.
Avioni i kompanisë indoneziane Lion Air u rrëzua në Detin Java, mëngjesin e së hënës.
“Mendoj se askush nuk mbijetoi, sepse trupat e viktimave që gjetëm nuk janë të paprekur… Kanë kaluar orë dhe, sipas të gjitha gjasave, të 189 njerëzit në bord kanë vdekur”, tha drejtori i Agjencisë së Kërkim-Shpëtimit, Bambang Suryo Aji.
Avioni Boeing-737 MAX u zhduk nga radarët 13 minuta pasi u ngrit nga Xhakarta dhe u rrëzua vetëm disa momente pasi ekuipazhi kërkoi të kthehet dhe të bëjë ulje emergjente.
Nuk dihet ende si cili është shkaku i rrëzimit.
Sipas disa njoftimeve, piloti Bhavye Suneja, 31 vjeç, ka pasur disa mijëra orë përvojë fluturimi.