Me ftesë zyrtare të homologut të tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ishte në vizitë zyrtare katërditore në Republikën e Italisë. Me këtë rast, me nderimet më të larta ushtarake, ai u pritë nga autoritetet më të larta ushtarake italiane.
Në takimet përkatëse u diskutua për format e implementimit të planit të veprimit në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të dy forcave. Nga ana e tij, gjeneral Rama, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të shtetit dhe forcave italiane për rolin e tyre të madh në kuadër të misionit të KFOR-it në përgjithësi si dhe për kontributin e madh për ndërtimin, zhvillimin dhe të arriturat e deritashme të FSK-së në veçanti.
Gjithashtu, gjeneral Rama i njoftoi me progresin e FSK-së në realizimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, kapaciteteve aktuale dhe ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse duke theksuar nevojën dhe rëndësinë e mbështetjes nga pala italiane në këtë aspekt.
Me këtë rast ai, theksoi objektivin strategjik për të ndërtuar forcat tona sipas standardeve më të avancuara dhe të ndërveprueshme me forcat e vendeve të NATO-s, për të qenë kompatibile për operacione të përbashkëta paqeruajtëse.
Nga ana e autoriteteve italiane, u vlerësuan lart të arriturat e deritashme të FSK-së si forcë profesionale në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Në fund të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi në mes të dy forcave të thellohet dhe intensifikohet edhe më tej në fushat me interes të përbashkët.