Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka informuar publikun se dje fluturimi me nr. VBB3208, i nisur nga Shtutgarti për në Prishtinë, i realizuar nga aeroplani i kompanisë ajrore të Bashkimit Europian, ALK Airlines është detyruar të bëjë një devijim për në aeroportin e Zagrebit për shkak të problemeve teknike gjatë fluturimit dhe ka aterruar pa problem në këtë aeroport rreth orës 18.00h. Kompania ajrore ka dërguar një aeroplan tjetër për të sjellur udhëtarët në destinacionin e tyre në ANP “Adem Jashari” i cili kishte aterruar në ora 02:40 min pas mesnate.
Në bazë të Marrëveshjes për Themelimin e Hapësirës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit (HPEA), palë e të cilës marrëveshje është edhe Kosova që nga viti 2006, kompanitë ajrore të cilat janë të regjistruara dhe licencuara në një shtet të Bashkimit Europian apo shtete tjera anëtare të kësaj marrëveshjeje, e kanë të garantuar lirinë e trafikut ajror. Kjo nënkupton që Certifikatat e Operimit Ajror, Licencat e Operimit dhe Certifikatat e Vlefshmërisë Ajrore të kompanive ajrore të cilat lëshohen nga një shtet nënshkrues i kësaj marrëveshje, janë të vlefshme edhe për vendet tjera nënshkruese të marrëveshjes HPEA, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës.
Përderisa një aeroplan posedon certifikatën e vlefshmërisë ajrore të lëshuar nga autoritetet kompetente të shteteve të Marrëveshjes HPEA, Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës nuk ka të drejtë të ndaloj fluturimin e tyre në Republikën e Kosovës, përvec nëse gjatë kontrollimit në platformë vërehen jo konformitete me standardet e sigurisë.
Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës siguron qytetarët që është duke bërë inspektime të vazhdueshme të transportuesve të huaj ajror në ANP “Adem Jashari” për t’u siguruar që transporti ajror në vendin tonë të jetë sa më i sigurtë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të aviacionit civil.