Institucioni i pavarur publik në Kosovë i cili promovon konkurrencën e drejtë në treg, dhe misioni i së cilës është të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së tregut është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, raporton Ekonomia Online.
Duke marrë parasysh që tregu në Kosovë nuk është i rregulluar siç duhet dhe ka prani të marrëveshjeve të ndaluara dhe monopoleve në sektorë të ndryshëm të cilat dëmtojnë rëndë konsumatorët dhe tregun në përgjithësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka hartuar një Raport Politikash i cili synon të analizoj performancën e përgjithshme të Autoritetit të Konkurrencës që nga themelimi i tij.
Delfinë Elshani, hulumtuese në GLSP, ka thënë se kanë, ky raport ofron një vlerësim të rasteve të hetuara dhe të pahetuara nga Autoriteti, ekspertizës, transparencës dhe llogaridhënjes si dhe punës së Komisionit të Autoritetit.
Sipas saj, ky raport gjithashtu ofron një pasqyrë të kornizës legjislative për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë si dhe një sërë rekomandimesh konkrete për Autoritetin e Konkurrencës dhe institucionet e tjera relevante, të cilat do të përmirësonin performancën e këtij rregullatori të pavarur.
Ajo shtoi se performanca e Autoritetit të Konkurrencës është konsideruar mjaftë modeste dhe e pakënaqshme sa i përket rregullimit të konkurrencës jo të drejtë në tregun e Kosovës.
“Autoriteti i Konkurrencës nuk është transparent në publikimin e të gjitha vendimeve të rasteve të hetuara si dhe raporteve vjetore të punës. Kjo nënkupton se mungesa e transparencës së këtij institucioni në shpërndarjen e informacionit mbi arritjet dhe dështimet e tij, pamundëson akterët dhe institucionet e tjera relevante për të vlerësuar performancën e përgjithshme të këtij Autoriteti”.
“Një ndër arsyet e performancës së pakënaqshme të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është mungesa dhe mosfunksionimi i Komisionit të këtij Autoriteti për një kohë shumë të gjatë. Duhet cekur që nga viti 2013 deri në gjysmën e vitit 2016, Autoriteti kishte një Komision jofunksional që rezultoi për shkak të mungesës së vullnetit të Qeverisë për të propozuar listën e kandidatëve për këtë Komision. Ka pasur spekulime që procesi për përzgjedhjen e anëtarëve nga Qeveria ishte i politizuar, gjë që ndikoi në zvarritjen e këtij procesi”.
“Një arsye tjetër për performancën e pakënaqshme të këtij Autoriteti mund të jetë edhe mungesa e ekspertizës dhe përvojës së duhur të stafit dhe anëtarëve të Komisionit gjë që ndikon negativisht në kapacitetin e tyre hetimor dhe vendimmarrës, siç është cekur edhe në raportin e Komisionit Evropian. Anëtarët e Komisionit të fundit janë aprovuar nga Kuvendi, përkundër kundërshtimeve jo vetëm nga shoqëria civile por edhe nga Komisioni përgjegjës parlamentar”.
“Buxheti jo i mjaftueshëm i alokuar nga Qeveria për Autoritetin e Konurrencës ndikon gjithashtu negativisht në performancën e këtij institucioni. Si pasojë, kjo pamundëson Autoritetin të posedojë mjete dhe pajisje të nevojshme hetimore, të rris mjetet për të kryer studime të fizibilitetit të tregut, si dhe të rris kapacitetet e brendshme dhe ekspertizën e tyre”.
Për më tepër, Erëza Pula, hulumtuese në GLSP, tha se në mënyrë që të përmirësohet performanca e këtij rregullatori të pavarur ky raport ofron një listë rekomandimesh konkrete, raporton EO.
“Autoriteti duhet të përkushtohet më tepër në kryerjen e hetimeve të rasteve të ndjeshme që pengojnë konkurrencën e lirë të tregut siç janë homologimi i automjeteve, shërbimet kabllore, kompanitë e sigurimeve, sektori bankar dhe farmaceutik, ndër të tjera dhe kompanitë ajrore. Kuvendi duhet të rrisë mbikëqyrjen e performancës së Autoritetit. Kjo arrihet duke formuar një nën-komision i cili në mënyrë specifike do të mbikëqyrë dhe monitoroj performancën dhe vendimet e marra nga ky Autoritet”.
“Qeveria duhet të rrisë buxhetin e alokuar për Autoritetin, në mënyrë që të shtoj kapacitetet e brendshme njerëzore dhe ekspertizën e tyre. Gjatë propozimit të kandidatëve të rinjë për Komisionin e Autoritetit, Qeveria duhet të identifikoj individë kompetent dhe me përvojë të duhur, marrë parasysh rëndësinë që ky Autoritet ka në rregullimin e tregut. Njëherësh GLPS propozon që të bëhen ndryshime të nevojshme ligjore të cilat do t’u mundësonin të gjithë qytetarëve të dëmtuar nga marrëveshjet e ndaluara që të kërkojnë dëmshpërblim”.