Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e lëndëve të tyre nga institucionet e drejtësisë, përfshirë dënime milionëshe ndaj kompanive për shkelje të dispozitave ligjore për mbrojtjen e konkurrencës.
Selajdin Beqa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm, thotë për Ekonomia Online se AKK-ja ka 12 vendime sanksionuese, gjoba ndaj ndërmarrjeve në tregje të ndryshme e të cilat janë duke u shqyrtuar nga gjyqësori.
“Me gjyqësorin nuk është se kemi pasur ndonjë bashkëpunim të theksuar, por së fundi kemi marrë një vetiniciativë me gjithë strukturën atje, duke filluar edhe me KPK-nëdhe KGjK-në dhe institucionet e tjera, si MTI, ARBK, dhe OShP-në, dhe jemi në procedurë të nënshkrimit të bashkëpunimit. Kishim një takim shumë të frytshëm më zotin Zogaj, kryesuesin e KGjK-së me të cilin jemi dakorduar që të lidhim marrëveshje të bashkëpunimit me qëllim që të lehtësimit të komunikimit. Në kuadër të kësaj shumë shpejt do të kemi një memorandum bashkëpunimi të nivelit më të lartë”.
“Momentalisht kemi 12 vendime sanksionuese, gjoba ndaj ndërmarrjeve në tregje të ndryshme e të cilat janë duke u shqyrtuar nga gjykatat”, u shpreh ai.
Pa epilog kanë mbetur edhe gjobat ndaj kompanive të sigurimeve, të cilët ishin gjobitur me 1 milion euro. Sipas tij, në Gjakovë kishin arritur marrëveshje për të mos e ulur primin e polisës së sigurimit.
“Është fjala për sektorin në industrinë e sigurimeve. Autoriteti ka shqiptuar gjobë mbi 1 milion euro për dhjetë kompani të sigurimeve të cilët në atë kohë ishin ulur në qytetin e Gjakovës dhe kishin bërë një marrëveshje të tipit ‘kartel’ dhe ishin marrë vesh që të mos të bëjnë zbritje nga primi prej 26 për qind për çdo polisë të sigurimit dhe ne përmes rrugëve tona operacionale në atë është siguruar kjo marrëveshje, janë zhvilluar procedurat hetimore dhe kompanitë pjesëmarrëse në ‘kartel’ janë gjobitur dhe prej atëherë deri më tani ende nuk kemi një epilog të tyre”, u shpreh ai.
Krahas këtij sektori, shkelje ishin evidentuar edhe në shitjen e arkave fiskale. Aty, AKK-ja i kishte shqiptuar dy dënime dhe që rasti është proceduar në Gjykatë.
“Tashmë kemi edhe nga arkat fiskale që kanë qenë me çmime jashtëzakonisht të larta dhe ne atë kohë Autoriteti ka gjetur një praktikë të bashkërenduar që bie ndesh me dispozitat e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe ka shqiptuar dy dënime ndaj dy kompanive në treg me nga 100 mijë euro. Edhe ato janë në procedurë e sipër”, thotë ai.