Në kuadër të përpjekjeve për t’i avancuar politikat e konkurrencës në fushën akademike, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka nënshkruar të premten një Memorandum Mirëkuptimi me Kolegjin UBT.
Sipas kësaj marrëveshjeje, palët janë zotuar që të organizojnë module të ndryshme studimore si dhe për përfshirjen e një lëndë për politikat e konkurrencës në programin studimor të Kolegjit UBT.
Përveç lëndës studimore, Memorandumi parasheh organizimin e aktiviteteve të ndryshme të përbashkëta, siç janë seminaret, trajnimet, vizitat studimore si dhe ligjërimin e zyrtarëve të AKK-së para studentëve të këtij
kolegji për tema të posaçme që lidhen me konkurrencën.
Përfshirja e lëndës rreth politikave të konkurrencës do të ketë ndikim pozitiv në rritjen e vetëdijes së përgjithshme për rëndësinë e konkurrencës në Kosovë, posaçërisht tek studentët e juridikut dhe të drejtimeve që kanë të bëjnë me ekonomi. Gjithashtu, kjo do të ndihmojë në rritjen e numrit të ekspertëve të kësaj fushe të rëndësishme për zhvillimin ekonomik.
Ditë më parë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka nënshkruar një memorandum të ngjashëm dhe me një kolegj tjetër në Kosovë.
Avokimi për politikat e konkurrencës mbetet pjesë e rëndësishme e punës së AKK-së.