Komisioni për lirime në import, ka njoftuar se të gjitha autorizimet e lëshuara për subjektet prodhuese nga ky komision për vitin 2018, do të zbatohen deri më datën 28 shkurt 2019.
“Duke marrë parasysh numrin e madh të kërkesave të subjekteve prodhuese dhe pengesave afariste të paraqitura gjatë importit, komisioni bazuar në kompetencat që i jep legjislacioni tatimor vendosi që autorizimet e vitit 2018 të aplikohen deri më datë 28.02.2019 për të krijuar hapësirë të mjaftueshme kohore që në mënyrë profesionale të trajtohen kërkesat e reja duke mos penguar prodhuesit në afarizmin e tyre dhe të lehtësohet komunikimi me Doganën e Kosovës”, njoftohet nga ATK.
Ndërkaq, ka kërkuar nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, që procedurat doganore dhe tatimore të aplikohen bazuar në vendimet e lëshuara nga Komisioni për lirime për subjektet prodhuese për vitin 2018, përfshirë Aneksin 1 dhe Aneksin 2.
“Komisioni për lirime kërkon nga të gjitha subjektet prodhuese që të shfrytëzojnë afatin deri me 28.02.2019 për të aplikuar për vendimin e ri për vitin 2019, ashtu siç parashihet me nenin 29 të Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi vlerën e Shtuar dhe nenin 48 të Udhëzimit Administrativ nr. 03/2015 si dhe në përputhje me vendimet e Qeverisë 13/07 & 14/07”.