Me iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë, nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës sot është mbajtur Forumi ekonomik në mes të dy shteteve.
Aty u tha se përmes forumeve ekonomike të përbashkëta në mes të shteteve synohet të arrihet avancim i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, dhe të kapërcehen sfidat përmes krijimit të perspektivave të përbashkëta, raporton Ekonomia Online.
Gjithashtu u theksua se janë të shumta forumet dhe iniciativa që merren nga ministritë të ndryshme dhe Odës Ekonomike të Kosovës në mënyrë që të krijohen ura bashkëpunimi në mes shteteve.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se forumet të tilla shërbejnë për të avancuar dialogun në mënyrë që të hapen rrugë dhe mundësi të përbashkëta për bashkëpunim ndërshtetëror.
“Shumë shpejt do ta kemi edhe përfundimin e autostradës për në Shkup dhe distanca në mes Greqisë dhe Kosovës çdo ditë është duke u minimizuar. Nuk i bëjmë nder dy komuniteteve të biznesit në qoftë se fokusohemi në shkëmbimin tregtar, në vitin 2016 importi nga Greqia ka qenë vetëm 117 milionë, ndërsa eksporti nga Kosova më pak se një milion”, ka thënë ai.
“Prandaj jemi këtu për të avancuar dialogun për të qel mundësi për bashkëpunim dhe atë jo në forma klasike, por në forma të avancuara, të krijimit të koncorsiumeve të përbashkëta të depërtimit në tregje të treta, qoftë në prodhime, qoftë në shërbime dhe në këtë drejtim këtë Gadishull Ballkanik ta promovojmë si gadishull të paqes, të vizionit, të ardhmërisë, dhe të prosperitetit”, ka thënë Gërxheliu.
Ndërsa, Ambasadorja e Greqisë në Kosovë, Konstantina Athanassiadou, vitin 2016 e ka quajtur vit brilant në kuadër të bashkëpunimit ekonomik Greqi-Kosovë.
“Viti i kaluar ishte vit brilant, sepse sekretari gjeneral në marrëdhënie tregtare ekonomike ka ardhur këtu, menjëher kemi pasur edhe zyrtarë nga Kosova në vizitë në Athinë. Në shtator z. Murtezaj ka biseduar me zëvendësministrin ekonomik dhe të themi që 2016-ën në Greqi na ka sjell si një gotë me vere të mirë. Presim që të përgatisim shumë forume edhe në të ardhmen për të gjitha pikat e interesit që do të kemi për zhvillimin tonë si dy shtete”, tha ajo.