Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Lamir Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se gjatë vitit të kaluar, AUV-i ka kryer rreth 76 mijë inspektime, prej të cilave janë asgjësuar mbi 1 milion e 200 mijë kilogramë/litra produkte ushqimore.
Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar dhe punët e prioritet që do ti kenë si Agjenci gjatë këtij viti.
Zëdhënësi i AUV-it ka thënë se nga këto inspektime është edhe një numër i madh i inicimeve të fletë paraqitjeve që janë dërguar në gjykata. Ai ka thënë po ashtu se AUV ka punuar shumë edhe sa i përket shëndetit të kafshëve dhe shëndetit të bimëve, ku sipas tij, në këto fusha janë treguar shumë të suksesshëm duke parandaluar shumë sëmundje.
“Duke qenë se jemi autoriteti më i lartë kompetent për siguri të ushqimit ne gjatë gjithë viti jemi kujdesur që për konsumatorët tonë produktet të cilat ata i blejnë në treg të jenë të sigurta dhe në këtë e kemi arritur. Kemi realizuar rreth 76 mijë inspektime, nga këto inspektime janë marr 3 mijë e 500 mostra dhe ato janë testuar në disa parametra dhe në secilin rast kur ne kemi pasur dyshimet të caktuara menjëherë kemi vepruar në ndalim të qarkullimit të produktit dhe pastaj janë ndërmarr veprimet tjera ligjore që kërkohen. Në këto inspektime kemi pasur edhe raste të ndalimit, asgjësimit, dërgimit të fletëparaqitjeve në gjykatë. Janë mbi 1 milion e 200 mijë kilogram, litra produkte të cilat nga inspektorët janë vlerësuar që nuk ju përgjigjen kushteve për konsum dhe si të tilla janë asgjësuar, gjitha asgjësimet janë kryer ne prezence të inspektoreve të AUV”, ka thënë Thaçi.
“Kemi punuar edhe në dy drejtime të tjera që janë baza e shëndetit publik, është shëndeti i kafshëve dhe shëndeti i bimëve edhe në këto fusha kemi treguar shumë sukses duke parandaluar shumë sëmundje duke luftuar disa të cilat veç se kanë prekur vendin tonë dhe konform ndërmarrjeve të veprimeve te shpejta ne kemi arritur rezultate të kënaqshme”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë që sipas ligjit për Agjencinë është paraparë që ti kenë tri lloj inspektorësh, por që aktualisht i kanë vetëm dy, ata veterinar dhe fitosanitar. Ai ka thënë se inspektor të brendshëm janë 30 veterinarë dhe 15 fitosanitar për gjithë territorin e Kosovës, ndërsa në kontroll kufitare janë 12 veterinarë dhe 19 fitosanitarë.
Ai ka theksuar se ky numër i inspektorëve është shumë i kufizuar dhe se janë në limitin kritik.
“Faktikisht krejt trupat inspektuese janë duke ju nënshtruar një reforme në bazë të ligjit për inspektime, edhe Agjencia e ka pasur këtë fat dhe ne në vitin 2023 kanë kaluar inspektorët sanitar nga AUV në Ministrinë e Shëndetësisë dhe aty ka qenë numri më i madh i inspektorëve që kemi pasur faktikisht dhe tani jemi më numër tejet të kufizuar. Ashtu kemi qenë me mungesë të inspektorëve kalimi e ka bërë që tani të jemi me numër të kufizuar. Ashtu kemi qenë më mungesë të inspektorëve kalimi e ka bërë që tani të jemi tejet më numër të kufizuar, por kemi një marrëveshje që ata do të na ndihmojnë deri sa në të rekrutojmë inspektor të ri dhe pastaj ne do të rekrutojmë inspektorë të posaçëm vetëm për sigurinë ushqimore”.
“Ne faktikisht kemi me ligj të paraparë tre lloje te inspektoreve, ne faktikisht i kemi vetëm dy, veterinarët dhe fitosanitarët. Si inspektor të brendshëm i kemi 30 veterinarë dhe i kemi 15 fitosanitar për gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa në kontroll kufitare i kemi 12 veterinarë dhe i kemi 19 fitosanitare. Jemi në atë, ta quajmë në limitin kritik që ne kemi numër shumë, shumë, shumë të kufizuar të inspektorëve. Sepse ju mund të imagjinoni sa mund të kryejmë inspektime me 15 inspektorë në gjithë territorin e Kosovës dhe me vetëm 30 veterinar në gjithë territorin, duke ditur që thertoret duhet ta kenë prezent gjatë gjithë kohës sa ato kryejnë therje. Kjo e përgjysmon, 70 për qind e numrit real të inspektorëve veterinar janë të angazhuar sepse as një therje nuk mund të kryhet në thertore pa qenë prezent inspektori zyrtar veterinar i cili i kontrollon kafshën para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se gjatë këtij viti do të hyjnë në funksion edhe zyrat regjionale të reja të cilat janë financuar nga BE-ja, e që do të ju mundësohet qytetarëve shërbime më të mira.
Ai ka thënë se tani operatorët ekonomik kanë bërë investime të cilat janë të kushteve të niveleve të Bashkimit Evropian, e për të cilën tha se këto janë pasuri shtetërore të cilat përkthehen në siguri ushqimore.
“Ne faktikisht e kemi një mbështetje shumë të mirë nga ministri i Bujqësisë i cili është angazhuar që gjithmonë të krijoj kushte sa më të mira për një punë më të mirë e cila përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët tonë. Ne i kemi ndërtuar zyrat regjionale dhe presim që gjatë këtij viti ti lëshojmë në funksion, janë zyre të reja të cilat janë financuar nga BE-ja. Kemi investime edhe në rritje të kapaciteteve analitike, siç janë metoda e zhvillimeve të metodave të reja të laboratorit për kryerje të testeve në gamë më të gjerë për parametra më të ndryshëm dhe po ashtu ne gjatë këtij viti synojmë që pas rekrutimit të stafit të ri, ata të trajnohen në hapa të shpejt dhe të dalin në teren dhe ta rrisim frekuencën e kontrolleve për gjithë operatorët ekonomikë. Ne këtë vit do të synojmë fillimisht në aspektin struktural Agjencia të ritet për shkak se do të funksionojmë ne objekte te reja. Do ti ofrojmë konsumatorëve qytetarëve edhe hapësira ku ata mund të kenë qasje dhe të marrin shërbime pranë AUV në objekte krejt ndryshe nga ato që i kemi pasur”, u shpreh ai.