Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Flamur Kadriu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se është rritur numri i inspektorëve sanitar dhe kontrolleve zyrtare.
Madje, ai tha se bashkëpunimi me Policinë dhe Prokurorinë është i jashtëzakonshëm veçse mungojnë inspektorët veterinar, duke shtuar se në krejt Kosovën operojnë vetëm 32.
“Nuk e kam numrin e saktë se sa biznese janë gjobitur, mirëpo kemi realizimin e kontrolleve zyrtare. Jemi duke arritur edhe në shkallë shumë më të lartë duke marrë parasysh se pas transferit të inspektorëve që i kemi realizuar nga komunat e Kosovës. Është rritur edhe numri i inspektorëve dhe kontrolleve zyrtare. Me Policinë e Kosovës dhe prokurorinë në shumë raste kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm te kontrabandimi i produkteve nga kufiri ku inspektorët tanë me kërkesë të Policisë dalin në vendin e ngjarjes. Por edhe te ankesat e konsumatorëve apo operatorë që bënë shkelje inspektorët tanë mundohet të arrijnë në kohë”, tha Kadriu.
Kadriu tha se kanë 75 inspektorë sanitar shtesë, por që është e pamjaftueshme të mbulohet i tërë territori i Kosovës duke parë numrin e madh të thertoreve dhe fabrikave të mishit.
“Tash kemi inspektorë të mjaftueshëm mirëpo te inspektorët veterinar kemi një numër të vogël dhe inspektorë sanitar qëndron pak më mirë. Me transferin e inspektorëve kemi 75 prej tyre shtesë. Vetëm 32 inspektorë veterinar i kemi për gjithë Kosovën. Me këtë numër të vogël po mundohemi të mbulojmë tërë territorin e Kosovës. Duke parë numrin e madh të thertoreve të fabrikave të mishit subjektet që i nënshtrohen kontrolleve veterinare është numër i pamjaftueshëm”, tha ai.
Kadriu shtoi se është rritur numri i kontrolleve për produktet që i nënshtrohen regjimit të temperaturave ku kohëve të fundit është në rritje, raporton EO.
“Kontrollet janë të vazhdueshme. Ne kemi planin kombëtar vjetor të kontrolleve zyrtare ku përfshihen të gjitha llojet e bizneseve, veprimtarive dhe bëhet një plan sistematik i kontrolleve sipas vlerësimit të rrezikut. Ne dëshirojmë ta rrisim secilën herë numrin e kontrolleve zyrtare sepse ka rritje të numrit të bizneseve dhe rritje të veprimtarive”.
“Ne kemi edhe kontrolle të jashtëzakonshme që ndodhin sidomos me pjesën e konsumatorëve ku kohëve të fundit është në rritje. Sidomos për produktet që i nënshtrohen regjimit të temperaturave për çdo vjet rrisim frekuencën e kontrollit për ato produkte që mund të kenë probleme gjatë ngritjes së temperaturave”, tha Kadriu.